Mbështetësit e reperit të burgosur Pablo Hasel, i cili u akuzua për fyerjen e Mbretit të Spanjës dhe lavdërimin e terrorizmit, janë përplasur me policinë në Barcelonë, Spanjë. Protestat që kërkojnë lirimin e Hasel kanë zgjatur për më shumë se një javë.
Protestuesit përdorën kosha mbeturinash me rrota për të ngritur barrikada të improvizuara dhe hodhën shishe qelqi ndaj policisë. Sipas mediave lokale, që citojnë policinë, një fotoreporter u plagos nga një shishe e hedhur.
Protestuesit marshuan për të tetën ditë radhazi për të kërkuar që artisti dhe aktivisti hip-hop Pablo Hasel të lirohet nga burgu.
Hasel u arrestua dhe u dërgua në burg në 16 Shkurt. Në vitin 2018, ai u burgos për dy vjet pasi u gjet fajtor për lavdërimin e grupeve terroriste në mediat sociale dhe fyerjen e Monarkisë Spanjolle. Mbështetësit e reperit e shohin çështjen e tij si një sulm ndaj lirisë së fjalës.
Më shumë se 200 artistë, përfshirë kineastin Pedro Almodovar dhe aktorin Javier Bardem, nënshkruan një peticion kundër dërgimit të Hasel në burg.
Pas reagimit të ashpër, qeveria spanjolle ka premtuar të ndryshojë legjislacionin dhe është zotuar të mos ndëshkojë me burg krimet e lidhura me fjalën e lirë.