Një luftë për pushtet ka shpërthyer në Armeni pasi ushtria bëri thirrje për dorëheqjen e kryeministrit, Nikol Pashinyan, në përplasjen e fundit për pushtet në vend.
Kërkesa e ushtrisë për largimin e kreut të qeverisë vjen pas nënshkrimit para pak kohësh të armëpushimit me Azerbajxhanin, që pasoi përplasjen ushtarake mes dy vendeve në rajonin e Nagorno-Karabakut.
Marrëveshja e diskutueshme e armëpushimit, e ndërmjetësuar nga Moska dhe e nënshkruar në dhjetor të vitit të kaluar, i dha Azerbajxhanit kontrollin mbi territoret e rajonit që armenët kishin kontrolluar ‘de facto’ që nga vitet 1990. Humbja në konflikt ka minuar seriozisht autoritetin e Pashinyan në Jerevan dhe ka shkaktuar një valë protestash.
Si pjesë e një deklarate të përbashkët të lëshuar të enjten, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura si dhe komandantët e një numri brigadash të mëdha ushtarake, thanë se kryeministri duhej larguar.
“Menaxhimi joefektiv i autoriteteve aktuale dhe gabimet serioze në politikën e jashtme e çuan vendin në prag të vdekjes.” – shkruanin shefat ushtarakë.
Masa vjen pasi presidenti armen Armen Sarkissian shkarkoi zv.shefin e parë të Shtabit të Përgjithshëm, Tiran Khachatryan, nga posti i tij me kërkesën e Pashinyan.