Izraeli ka ngrirë programin për të dërguar vaksinat COVID-19 jashtë vendit. Lajmi është bërë i ditur nga Ministri i Mbrojtjes, Benny Gantz.
Kryeministri Benjamin Netanyahu është kritikuar pse kishte vendosur t’u dhuronte vaksina anti-COVID aleatëve të huaj, ndërsa palestinezët ankohen se si një fuqi okupuese, Izraeli duhet të furnizonte më shumë ata.
Transmetuesi publik izraelit Kan, i cili në fillim të kësaj jave raportoi se Izraeli do të dërgonte dërgesa të vogla në 19 vende, tha se Prokurori i Përgjithshëm Avichai Mandelblit po kërkonte sqarime rreth programit.
Një zyrtar në zyrën e Netanyahut tha se pasi u ngritën pyetje ligjore, këshilltari i sigurimit kombëtar të Netanyahut i kishte kërkuar Mandelblit të jepte mendimin e tij.
“Unë e mirëpres vendimin për të ngrirë transferimin e vaksinave në vendet e tjera.”-tha ministri Gantz, citon Reuters. Gantz po shërben në qeverinë e Netanyahut ndërsa po përgatitet të përballet me të në zgjedhjet e muajit të ardhshëm.
Netanyahu në fillim të kësaj jave mbrojti atë që i është referuar si “diplomacia e vaksinave”, duke thënë se Izraelit i kishin mbetur “të papërdorura” vaksinat Moderna. Ai u tha gazetarëve të mërkurën se mendonte se dhurimi i këtyre vaksinave do të “blinte” vullnet të mirë.