Ministria e Brendshme e ka mbajtur të fshehur faktin e ndalimit të Ervis Martinajt, në aksionin e para dy ditëve në Laç.
Dy ditë më parë, RENEA zhvilloi një operacion në kompleksin ‘Arbëria’ në Laç duke kryer kontrolle të imtësishme.
Aksioni u krye lidhur me atentatin ndaj Shkëlzen Kastratit në datën 1 shkurt e gjatë tij u ndaluan shtatë persona e u arrestua një tjetër.
Sipas faktor.al, që citon burime pranë Ministrisë së Brendshme, të shoqëruar në këtë aksion kanë qenë edhe Ervis Martinaj e miku i tij E.Mihasi, fakte që nuk janë bërë të ditura nga policia pas aksionit.
Gjatë kontrollit në kompleksin ‘Arbëria’ u gjet e fshehur në një kasolle pranë tij një pistoletë e markës ‘Glock’.
Shkëlzen Kastrati u ekzekutua më 1 shkurt në Fier. Pas krimit, në vendin e njohur si Mbikalimi i Baltëzës u gjet i djegur një mjet tip ‘Range Rover’ që dyshohet se u përdor në atëntatin ndaj 42-vjeçarit.