Sikurse ishte paralajmëruar më parë, ka nisur këtë të shtunë procesi i vaksinimit në Korçë, me vaksinimin e 150 mjekëve dhe personelit shëndetësor.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, thotë se së shpejti përfundon vaksinimi i të gjithë bluzave të bardha.
“Sot nis vaksinimi edhe në Korçë dhe së shpejti përfundojmë vaksinimin e të gjithë bluzave të bardha. #ShqipëriaBuzëqesh.”– shkruan Manastriliu.
Në të gjithë qarkun janë rreth 1000 persona, doktorë, infermierë e staf shëndetësor që pritet të vaksinohen në ditët në vijim. Më pas do vijohet me të moshuarit. Procesi i vaksinimit do të kryhet në ndërtesën e Ish Shtëpisë së Oficerëve, pra vetëm në një qendër vaksinimi.
Procesi vaksinimit këtë fundjavë vijon edhe në Tiranë, Berat, Fier, Vlorë. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se plani i qeverisë është që procesi i vaksinimit të mbyllet totalisht brenda 14 muajve.