Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite hedh poshtë raportin e administratës Biden që fajëson Princin e Kurorës për vrasjen e gazetarit Khashoggi


Riadi ka hedhur poshtë raportin e inteligjencës amerikane që fajëson Princin e Kurorës Saudite Mohammed bin Salman për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi si “abuziv dhe i pasaktë”, edhe pse mbretëria nuk ka gjasa të përballet me një dënim serioz.

“Qeveria e Mbretërisë hedh poshtë kategorikisht përfundimet abuzive dhe të pasakta të përfshira në raport.” – tha Ministria e Jashtme Saudite në një deklaratë, duke shtuar se raporti i SHBA-së “nuk mund të pranohet në asnjë mënyrë”.

Arabia Saudite refuzon çdo gjë që do të “paragjykonte udhëheqjen e saj, sovranitetin dhe pavarësinë e gjyqësorit të saj”, shtoi raporti.

Reagimi i Riadit vjen pasi administrata e Biden bëri publike një vlerësim nga komuniteti i inteligjencës amerikane që fajëson trashëgimtarin e fronit saudit për vrasjen dhe copëtimin e gazetarit Khashoggi në tetor 2018 brenda një konsullatë në Turqi.

Pasi fillimisht e mohuan që Khashoggi u vra, sauditët fajësuan persona të ndryshëm brenda shërbimeve të sigurimit të Mbretërisë dhe dënuan një numër zyrtarësh me vdekje.

Ministria e Jashtme Saudite e quajti vrasjen e Khashoggit” një krim të rëndë që përbënte një shkelje flagrante të ligjeve dhe vlerave të Mbretërisë” por tha se ata kishin ndërmarrë “hapat e nevojshëm për të siguruar që një incident i tillë fatkeq të mos përsëritej në të ardhmen”.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *