Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i LSI-së: Bashkia e Skraparit harxhon 25 milionë lekë për një makinë


Lëvizja Socialiste për Integrim ka publikuar sot një denoncim për bashkinë e Skraparit, që drejtohet nga socialisti Adriatik Mema, që sipas kësaj force politike ka harxhuar 25 milionë lekë për të blerë një automjet, pavarësisht pandemisë.

“Bashkia e Skraparit nuk njeh krizë nga pandemia. 25 milionë lekë për blerjen e një automjeti!!

Viti i Pandemisë mund të jetë jashtëzakonisht i vështirë për mijëra biznese të goditura nga kriza, për mijëra shqiptarë që humbën vendet e punës nga karantina dhe keqqeverisja, për mijëra familje shqiptare që harxhuan kursimet e tyre për shkak të medikamenteve të shtrenjta për kurimin e Covid-19, por ky vit kurrsesi smund të jetë vit krize për bashkinë e Skraparit, e cila ka vendosur të shpenzojë shumën e madhe prej 25 milion lekësh për blerjen e një….automjeti!

Kryebashkiaku i Skraparit qenka treguar dorëlëshuar për të blerë një automjet, ndërkohë që nuk bën asgjë për të mbështetur dhe investuar në nisma që krijojnē vende të reja pune apo që zbusin varfërinë në Skrapar. E gjitha kjo ka një shpjegim: Përfaqësuesit e Rilindjes kanë një raport shumë të mirë me luksin që buron nga abuzimet dhe shpërdorimet, por nuk kanë aspak lidhje me angazhimin për të zgjidhur hallet e shqiptarëve.”– denoncon dega e LSI-së në Skrapar.

Sipas LSI-së, 25 milionë lekët e makinës së luksit të Bashkisë së Skraparit, mund të ishin shpenzuar për familjet në nevojë apo personat me aftësi të kufizuar, “por mesa duket hallexhinjtë nuk figurojnë fare në axhendën e kryetarit të Bashkisë!“

Denoncimi shoqërohet edhe me një dokument, i cili konfirmon pikërisht blerjen e këtij automjeti.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *