Djejtuesi politik i Vorës në PD, Flamur Noka, është takuar me banorët e kësaj zone që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019.
Ata i thonë Nokës se skandali me prishjen e banesave të padëmtuara nga tërmeti në Vorë është zgjeruar edhe me një pallat tjetër.
Një banor ka treguar për vendimin e prishjes që sapo u ka ardhur nga bashkia, pavarësisht se sipas tij pallati nuk ka asnjë dëmtim.
“Para 5 ditësh na vjen letra: hajde bëni shpronësimin. Sillni letrat që të bëni shpronësimin. Ç’është ky shpronësim? Pse? Arsyea pse? Ka diçka. Ka ndonje pus nafte aty, apo çfarë ka dalë? Jo po, do prishet, se pallati tjeter do vijë aty afër, do të bëhet 8 metra i thellë dhe kanë frikë se lëviz, bie poshtë pallati. Pallati ynë është i pacënuar. Tërmeti që ra nuk bëri dëm fare. Hymë brenda, jetuam aty. Në atë kohë na thanë që pallati nuk shembet. Ndenjëm rehat. Bëmë disa punime mbrapa, disa restaurime.”– tregoi njëri nga banorët e pallatit.
Një tjetër thotë se pallatin duan ta prishin për ta bërë parking për pjesën ku po ndërtohet. Ata e cilësojnë projektin e qeverisë si grabitje të pronës private dhe deklarojnë se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.
“Jam 60 vjeçe dhe po ju jap llafe burri: unë aty do të rri, le të vdes”– u shpreh një e moshuar.
Për Flamur Nokën skenari i qeverisë për të prishur pallatet pa shpronësuar më parë banorët, është korruptiv dhe mafioz.
“Pallati s’është dëmtuar nga tërmeti dhe duan ta prishin se duan të ndërtojnë diçka tjetër, këtu është mafie. Kjo është të tallesh dhe të përbuzësh qytetarët e vendit tënd. Kanë pasurinë e një jete dhe vetëm se mafia ndërtimit i kanë vënë syrin këtij vendi këtu, do ta rrëzojmë do ta ndryshojmë, sepse s’mund ta vjedhin këtë pronë që e keni bërë me mund me djersë, gjak dhe sakrificë. Një njeri lufton një jetë të tërë për të patur një shtëpi dhe vjen dita që mafia e ndërtimit i ka vër syrin këtu kjo do të marrë fund më 25 prill.”– u shpreh Flamur Noka.
Gjatë bisedës me banorët, Noka tha se në projektin e rindërtimit janë bërë edhe prishje të tjera të banesave të padëmtuara. Sipas një dokumenti të treguar nga Noka, banorët urdhërohen të dalin jashtë pa u shpronësuar. Sipas ligjit banorët kanë pjesë edhe në pronësinë e tokës së pallatit, por duke përdorur skemën e tërmetit, qeveria shmang procedurat dhe kostot e shpronësimit të qytetarëve për llogari të interesave “korruptive financiare” sipas demokratëve.