Një makinë ka përplasur për vdekje një 69-vjeçar në Rrugën e Arbrit.
Drejtuesi i makinës që dyshohet se shkaktoi aksidentit është larguar fillimisht nga vendngjarja por që është ndaluar më pas nga policia.
“Shkaktoi aksident me pasojë vdekjen e 69-vjeçarit, shoqërohet në Komisariat drejtuesi i mjetit i cili pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes.
Rreth orës 20.00, në vendin e quajtur Gjoricë, (në segmentin e rrugës së Arbërit që është akoma kantier ndërtimi) shtetasi N. D., duke drejtuar automjetin tip ‘Benz’, dyshohet se ka goditur shtetasin R. R., 69 vjeç, i cili për pasojë ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë pas ndjekjes dhe kontrollit të zonës, kanë gjetur dhe shoqëruar në Komisariatin e Policisë Bulqizë, drejtuesin e automjetit i cili pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes.
Grupi hetimor vijon hetimet për zbardhjen e shkaqeve të plota të ngjarjes”-thuhet në njoftimin e policisë.