Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka paralajmëruar në emisionin “Opinion” se pas dy ditësh do të publikojë të dhëna që sipas saj do të tregojnë se si Kryeministri Edi Rama ka manipuluar skemën politike shqiptare.
Kryemadhi tha se përmes këtij denoncimi të LSI-së do të zbulohet e gjithë skema e Ramës.
“Po ju jap fjalën sot nga emisioni juaj që shumë shpejt brenda 2 ditësh do të keni një denoncim të fortë nga Monika Kryemadhi se si Edi Rama e manipuloi skemën jo vetëm të “Kingmaker” por manipuloi skemën politike, e cila tregon qartazi se cila është ndërhyrja dhe impakti dhe kjo 184 dhe 339 s’janë asgjë, janë zero.
Ju do më kërkoni pastaj në Opinion aty. Aty do kuptojmë dhe fytyrat ëngjëllore. Tashmë socialistët e ndershëm do të shpërthejnë për të treguar të vërtetën e realitetit politik shqiptar dhe duhet t’i japim fund pazareve politike, duhet t’i japim fund konfliktit të interesit të ministrave, duhet t’i japim fund konfliktit të grupeve ekomomike-financiare të cilat janë të lidhur me politikën, me median dhe me këdo tjetër. Pas kësaj të jeni të bindur që nuk ka humbje për opozitën, por përkundrazi ka përgjegjësi të madhe sepse kjo opozitë që është sot, jo për shkak të votës shqiptare por kjo opozitë që është sot është për shkak të manipulimit, të falsifikimit, të grabitjes të identifikimit jo vetëm politik por edhe ekonomik të shqiptarëve”- deklaroi Monika Kryemadhi.