Vendosni fjalën kyçe....

Kurti nuk është kundër askujt. Thjesht pro Kosovës


Nga Çim Peka

Albin Kurti duket se po përballet me krizën e parë diplomatike akoma pa marrë detyrën e Kryeministrit të Kosovës. Është një krizë e paralajmeruar në fakt, dhe kushdo që do të ishte në vendit e tij, do të përballej me të njëjtën krizë. Ajo çfarë e bën këtë krizë ‘të tijen’ është qëndrimi i Kurtit ndaj marrëveshjes së shtatorit në Shtëpinë e Bardhë.

Angazhimi që Kosova dhe Izraeli bënë për njohje reciproke ‘in abstentia’, më shumë se angazhim ndaj njëri-tjetrit, ishte angazhim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës si ndërmjetës. Edhe kërkesë-premtimi për vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem erdhi si kërkesë e ShBA-ve dhe administratës Trump.

Dy notat diplomatike të ardhura në kohë të ndryshme, njëra nga Turqia dhe tjetra nga Izraeli, Albin Kurti vendosi ti publikojë në të njëjtën ditë. Veprimi ishte i drejtë dhe i sinqertë. Duke qenë se këto nota paraqesin kërkesa të kundërta me njëra tjetrën, njëra pro dhe tjetra kundër vendosjes së ambasadës në Jerusalem, Kurti u tregua i sinqertë si me Turqinë ashtu dhe me Izraelin, por edhe me ShBA-së dhe Bashkimin Europian.

Ai tregoi pozicionimin e tij të vështirë ndaj një aleati tradicional si Turqia dhe një aleati të ri si Izraeli. Duke publikuar këto kërkesa të kundërta duket se Kurti donte t’i linte në mënyrë indirekte topin në fushën e Administratës Biden. Megjithëse kundër vendimit të ish-presidentit Trump, duket se Administrata e re nuk ka ndërmend të kthejë vendimin për zhvendosjen e ambasadës së ShBA nga Tel Avivi në Jerusalem.

Duket se Kryeministri i ri i Kosovës pret se çfarë do ti thonë ShBA, dhe nëse ndodh që t’i kërkohet të vendose ambasadën jo në Jerusalem, por në Tel Aviv, atëherë duhen të jenë ShBA ato që duhet ta marrin përsipër pakënaqësinë izrealite. Në të kundërt, ai duhet të udhëtojë në Jerusalem dhe të inagurojë ambasadën aty. Gjë që do ti sillte një fillim jo të mirë me Presidentin Erdogan.

Turqia ka projeksionet e veta në Lindjen e Mesme, në Palestinë dhe në Mesdheun lindor. Projeksione që janë legjitime. Duke mos mohuar interesat e Turqisë, por duke vendosur interesat e Kosovës në rend të pare, Albin Kurti do të bënte atë që çdo udhëheqës i përgjegjshëm i një shteti do ta bënte.

Dhe përtej protestës diplomatike, Turqia do të duhej ta mirëkuptonte. Kosova nuk po vepron për inat të ndonjë shteti, aq më tepër Turqisë, dhe as për llogari të ndonjë fuqie kundër një fuqie tjetër. Kosova thjeshtë po ndjek interesin e vet kombëtar.

Me ‘delegimin’ e kësaj çështje tek Shtetet e Bashkuara, Kurti rrëzon edhe narrativën e kundërshtarëve të tij brenda dhe jashtë Kosovës, se ai është kundër Shteteve të Bashkuara. Duke ndjekur një interes të mirëfilltë kombëtar (vendosjen e ambasadës në Jerusalem si kusht për njohjen nga Izraeli) Kosova dhe qeveria e saj tregojnë se nuk janë kundër askujt, aq më pak kundër një aleati tradicional si Turqia. Ndodhemi në situatën kur interesat Kombëtare të Kosovës nuk përputhen me interesat diplomatike të Turqisë.

Çdo shtet ka të drejtë të mbrojë interesat e veta, dhe qëndrimi i Kurtit (nëse) për të lënë ambasadën në Jerusalem është një ‘fair game’. Ka vende e mundësi sa të duash ku Kosova dhe Turqia të harmonizojnë qëndrimet e tyre. Mund të ndodh që një qëndrim i tillë të antagonizojë një pjesë të vogël të elektoratit religjioz të Kurtit, por ky është një dëm kolateral.

Nga ana tjetër Kosova nuk i ka asnjë borxh Palestinës. Ajo jo vetëm nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, por ambasadori palestinez në Beograd është më i ashpër kundër shtetësisë së Kosovës sesa vetë zëdhënësit e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.

Sa për Bashkimin Europian, duket se vendimi i Kosovës nuk ka pse merr parasysh qëndrimin e saj. Jo vetëm se BE po tregohet e pandershme dhe e padrejtë me Kosovën në lidhje me liberalizimin e vizave; jo vetëm se 5 shtete të BE-së akoma nuk e kanë njohur Kosovën, por edhe skandali i fundit me hartën e Ballkanit në zyrën e Lajçak tregon se BE (të paktën institucionet e saj në Bruksel) është e padrejtë me Kosovën.

Në vizitën e Lajçak sot në Kosovë, Albin Kurti i dhuroi këtij të fundit një libër me krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë. Ishte mënyra më e mirë për ti thënë një zyrtari pro-serb të Komisionit Europian se pikërisht për shkak të këtyre krimeve dhe këtij gjenocidi, ajo hartë nuk ka vend në zyrën e tij, dhe në asnjë zyrë të Komisionit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *