Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas takimit që pati me ndërmjetësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dha një deklaratë për mediat.
“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”, u deklarua ai për medie, raporton Gazeta Express.
Tutje, pasi u pyet nga gazetarja e T7 nëse ka diskutuar për çështjen e hartës, e cila e shfaq Kosovën si pjesë të Serbisë, ai e ka mohuar një gjë të tillë.
Kreu i VV-së ka lënë të nënkuptohet edhe se dialogu vazhdon të jetë prioritet i katërt i qeverisjes së tij.
“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – edhe për BE-në, Kosovën dhe Serbinë dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”- tha ai
Mirosllav Lajçak të martën në mëngjes do të takohet edhe me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmanin.
Takimi do të mbahet në kabinetin e Presidentes në orën 08:00. Pas takimit, do të mbahet një konferencë për media në hollin e Kuvendit të Kosovës.