Vendosni fjalën kyçe....

Balla reagon ndaj Metës: Referendumi i kërkuar në 25 prill kundër reformës në drejtësi


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste Taulant Balla ka komentuar deklaratat e Presidentit të Republikës ditën e djeshme mbi zgjedhjet dhe “bastin politik” se do japë dorëheqjen nëse PS-ja fiton brenda rregullave zgjedhjet e 25 prillit.

Balla tha se Presidenti Meta nuk ka kompetenca për të njohur rezultatin e zgjedhjeve. Ndërsa e quajti marrëveshjen si përpjekje për të zhbërë reformën në drejtësi.

Presidenti ka zero kompetencë për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve. Nuk ka asnjë lloj kompetence. Unë dua t’i them Ilir Metës publikisht që ta mbajë fjalën e dhënë para shqiptarëve dje se më 26 prill do të japë dorëheqjen, sepse jo vetëm që do të fitojmë në mënyrë të ndershme, por dua të them që Ilir Meta po imponohet për ta shndërruar 25 prillin në një referendum kush është pro dhe kush është kundër reformës në drejtësi, sepse bashkë me Lulzim Bashën, nëse lexoni marrëveshjen e tyre, kuptoni se këtu bëhet fjalë për një përpjekje për të zhbërë reformën në drejtësi”-tha Balla.

Balla më tej tha se referendumi i kërkuar nga Meta është kundër reformës në drejtësi.

Ai po bën një referendum kundër reformës në drejtësi, por shqiptarët do t’i japin përgjigjen në numër shumë të madh. Ne kemi edhe zgjedhje, edhe zgjidhje. Për fat të mirë në Shqipëri kemi një Gjykatë Kushtetuese. Presidenti nuk ka asnjë kompetencë për të zhbërë rezultatin e zgjedhjeve. Presidenti nuk është as palë në zgjedhje për të bërë ankimime. Kuvendi mblidhet më 9 shtator, besoj se deri atëherë Ilir Meta do ta ketë mbajtur fjalën dhe do ketë dhënë dorëheqjen. Deri në konstituimin e Parlamentit të ri, Kuvendi merr kompetencat e Presidentit. Derisa Gjykata Kushtetuese të zgjidhë këtë çështje, pra mungesën e dekretit të Presidentit për t’i dhënë të drejtë Ramës të prezantojë qeverinë e re, kryeministri Rama do të vazhdojë detyrën me qeverinë aktuale. Pra, çdo lloj përpjekje e Ilir Metës, siç e mori përgjigjen në qershor të vitit 2019, do të ketë të njëjtën përgjigje edhe tani. Shqiptarët do të vazhdojnë të kenë qeverinë e tyre për t’u marrë me hallet e tyre. Qeverisja jonë nuk do të ndërpritet për asnjë moment”-u shpreh Balla në emisionin Real Story.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *