Vendosni fjalën kyçe....

Ia kishte dhuruar Brad Pitt, Angelina Jolie shet pikturën e Winston Churchill-it për 11.5 milionë dollarë


Shitet për 7 milionë paund (ose 11.5 milionë dollarë) në një ankand në Londër një pikturë e ish-kryeministrit britanik Sir Winston Churchill, e cila ishte në pronësi të Angelina Jolie. Kësaj të fundit pikturën ia kishte bërë dhuratë ish-bashkëshorti i saj, Brad Pitt.

Çmimi i shitjes ishte pothuajse sa katërfishi i vlerësimit më të lartë që iu bë pikturës, para se të dilte në ankand. Madje kapërceu rekordin e mëparshëm për një pikturë të Churchill-it, e cila ishte shitur në më pak se 1.8 milionë paund.

Kulla e Xhamisë Koutoubia, e pikturuar në Marrakesh gjatë Luftës së Dytë Botërore, iu shit një blerësi anonim.

Një zëdhënës nga shtëpia e ankandeve, e quajti atë “puna më e rëndësishme e Churchill-it”.

“Përveç prejardhjes së tij të dalluar, është peizazhi i vetëm që ai bëri gjatë luftës.”- shtoi zëdhënësi, citon BBC.

Churchill mori frymëzim nga qyteti maroken dhe pikturoi Kullën e Xhamisë Koutoubia pas Konferencës së Kasablankës në vitin 1943.

Ai ia dhuroi atë presidentit të SHBA-ve, Franklin Roosevelt. Kur vepra doli në shitje në New Orleans në vitin 2011, ajo ra në duart e aktores Angelina Jolie.

Kur ishin së bashku, Jolie dhe Pitt kanë blerë sëbashku disa herë vepra arti dhe kjo ishte një prej tyre. Sipas PageSix, Pitt e kishte blerë atë për 2.95 milionë dollarë në vitin 2011 nga një tregtar antik në New Orleans.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *