Në këto momente, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese janë mbledhur sot për të shqyrtuar kërkesën e kreut të Partisë Republikane Fatmir Mediu, për të zhvilluar tubime elektorale.
Në një padi të depozituar në Gjykatën Kushtetuese që më 4 dhjetor të vitit 2020, PR kërkon shfuqizimin e urdhrit të ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliut që ndalon të gjitha grumbullimet me më shumë se 10 persona.
“Partia Republikane Shqiptare (kërkuesi), si parti politike e cila është aktualisht e angazhuar aktivisht në fushatën zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të datës 25 Prill 2021, si dhe partitë e tjera opozitare, dëmtohen rëndë nga akti objekt kërkese i cili ndalon specifikisht aktivitetin e këtyre partive dhe për pasojë vetë esencën e ekzistencën e tyre si parti politike.
Akti objekt kërkese pengon specifikisht, në mënyrë drastike, kërkuesindhe partitë opozitare në përmbushjen e rolit të tyre Kushtetues si parti politike; pra si një faktor qendror i formimit të vullnetit politik të zgjedhësve. Për pasojë, akti objekt kërkese bie ndesh me parimet, të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë si dhe në konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Shqipëria, ndaj si i tillë duhet të shfuqizohet.”- thuhet në kërkesën e depozituar në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas mediut, urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë e ka vënë opozitën në kushtet e pabarazisë pasi sipas tij mazhoranca i ka të gjitha kushtet për të zhvilluar aktivitetin e saj politik dhe kjo duket hapur kur kryeministri ka nga “40 persona nga mbrapa”.