Autoritetet shëndetësore në Arabinë Saudite kanë thënë se çdo mysliman që dëshiron të kryejë pelegrinazhin vjetor të Haxhit në Mekë, së pari do të duhet të sigurojë prova se është vaksinuar kundër Covid-19.
Ministria e Shëndetësisë e Arabisë Saudite konfirmoi vendimin në një deklaratë të martën, duke thënë se vaksinimi do të ishte “kushti kryesor për të kryer Haxhin “, pasi ministri i Shëndetësisë, Taëfiq Al Rabiah, tha se “vaksinimi i detyrueshëm” do të kërkohej për të gjithë pelegrinët.
Të gjithë muslimanët që mund të kryejnë Haxhin, u kërkohet ta bëjnë këtë të paktën një herë gjatë jetës së tyre. Pelegrinazhi përbëhet nga një seri pesë-ditore e ritualeve që ndiqet nga miliona persona, në dhe përreth Mekës, shtëpia shpirtërore e Islamit.
Myslimanët besojnë se ritualet ofrojnë një mundësi për të fshirë mëkatet e së kaluarës dhe për të filluar jetën të pastër para Zotit.
Ministria nuk specifikoi nëse bëhej fjalë për Haxhin e këtij viti, që pritet të fillojë në mbrëmjen e 17 korrikut, apo edhe për Haxhet në vitet në vijim. Ritualet e vitit të kaluar ishin të kufizuara në vetëm 1.000 pelegrinë që jetonin në Arabinë Saudite.