Tokio ka kërkuar që Pekini të ndalojë testimin anal për Covid-19 ndaj shtetasve japonezë në Kinë, duke i kërkuar që të përdorë mënyra të tjera. Procedura thuhet se shkakton ‘tronditje të madhe psikologjike’ te personat që e bëjnë.
Çështja e testimit të koronavirusit u ngrit nga Sekretari i Kabinetit të Japonisë, Katsunobu Kato, gjatë një konference shtypi të hënën.
“Disa japonezë raportuan në ambasadën tonë në Kinë se ata kryen teste anale për Covid-19, të cilat shkaktuan një dhimbje të madhe psikologjike.”
Japonia tashmë i ka kërkuar Pekinit të ndalojë testimin e diskutueshëm, duke iu përmbajtur metodave të tjera. Deri më tani, Kina nuk është përgjigjur nëse do të ndryshojë procedurën për qytetarët japonezë apo jo, tha Kato.
Mbetet e paqartë se sa qytetarë japonezë janë prekur nga hetimet jokonvencionale për koronavirusin në Kinë.
Testimi për Covid-19 me anë të tamponit anal u prezantua nga autoritetet kineze në fillim të këtij viti.
Metoda thuhet të jetë një mënyrë më e saktë për të zbuluar virusin sesa tamponi në hundë, i përdorur gjerësisht në të gjithë botën mes pandemisë.
Procedura përfshin futjen e një tamponi pambuku të gjatë tre deri në pesë centimetra në anus, sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës.