Partia Demokratike ka denoncuar në SPAK koncesionin në fushën e karburanteve që sipas selisë blu i kushton vendit më shumë se 100 milionë euro.
Padia u dorëzua nga ish-deputeti Agron Shehaj e Sekretari për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata. Shehaj tha se ky koncesion është dhënë nga qeveria në mënyrë të fshehtë, në nxitim e sipër e duke ia dhënë atë tre klientëve të saj të paracaktuar.
“Sot, dorëzuam në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion një nga vendimet më korruptive të qeverisë Rama përpara largimit. Në ditët e fundit të pushtetit, Edi Rama ka vendosur të japë një koncesion të fshehtë, në fushën e karburanteve, i cili do t’u kushtojë shqiptarëve 100 milionë euro. Pa asnjë studim, pa transparencë, gjithçka në errësirë dhe me nxitim, qeveria ka paracaktuar që tre klientë të saj të gjurmojnë transaksionet financiare në fushën e hidrokarbureve. Ky vendim, në fushatë zgjedhore shkel rregullat e zgjedhjeve, mbyll tregun në tre duar dhe, mbi të gjitha, fut duart në xhepat e qytetarëve, duke e bërë karburantin akoma më të shtrenjtë.” – tha Shehaj.
Ai shtoi më tej se pazari i Ramës me tre klientët e tij për këtë koncesion duhen hetuar nga SPAK pasi bëhet fjalë për një aferë të rëndë korruptive.
Shehaj theksoi se marrëveshjet e Ramës do rrisin çmimet e karburantit në vend ndërsa tha se PD-ja nuk do e njohë këtë koncesion pas zgjedhjeve të 25 prillit.
“Pazari që Edi Rama ka bërë me 3 klientët e tij pak përara largimit nga qeveria duhet të hetohet nga SPAK. Nuk ka asnjë dyshim se kjo është një aferë e rëndë korruptive, e cila, nëse hetohet siç duhet, do ta çojë drejtësinë tek Edi Rama. Rama po bën marrëveshje të ndyra dhe të korruptuara që do të rrisin çmimet e karburantit në Shqipëri, në mënyrë që miqtë e Ramës të bëjnë miliona në kurriz tonë. Asnjë tjetër, përvec Edi Ramës, nuk ka pushtetin që të vendosë për dhënien e 100 milionë eurove në vetëm 3 duar, të cilat, mund të rezultojnë edhe një dorë e vetme. Ky vendim i pistë i Edi Ramës, që dënon shqiptarët me një vjedhje të re dhe me rritjen e çmimit të karburantit nuk do të njihet nga Partia Demokratike.” – shtoi Shehaj.
Në fund përfaqësuesi demokrat tha se ka ardhur koha për ndryshim dhe se kryeministri Rama është në panik nga humbja e pushtetit duke shtuar se qeveria e re e opozitës do sjellë në vend ndryshim e shpresë për vendin.
“Është vendimi i një kryeministri në panik nga humbja e pushtetit. Edi Rama është në panik, sepse e kupton që fundi i tij ka filluar. Koha e Edi Ramës ka mbaruar! Është koha për ndryshim! Është përgjegjësi e Partosë Demokratike ndaj qytetarëve që me planin tonë konkret të sjellim ndryshim në të gjitha fushat ku Edi Rama ka dështuar: në ekonomi, shëndetësi, arsim, imigrim, infrastrukturë. Ne do të sjellim ndryshimin dhe shpresë për Shqipërinë!” – mbylli deklaratën Shehaj.