Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti është angazhuar me zgjedhjet e 25 Prillit në Shqipëri.
Në një deklaratë nga Tirana teksa u prezantuan kandidatët për deputetë të Vetëvendosjes, ai dha mesazhin e tij se shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës kanë nevojë për ndryshim.
“Ju falënderoj që i jepni përgjigjur pozitivisht kërkesës sonë. E falënderoj qendrën e Vetëvendosjes në Tiranë dhe Boiken Abazin. Këtë pranverë mbushen 15 vite që njihem me Boikein, ai është një aktivist i pa thyeshëm dhe njeri i pa korruptueshëm. Shqiptarët kanë nevojë për ndryshime dhe ata të Kosovës.”– tha Kurti.
Ai theksoi se do të jetë “kryeministri më bashkëpunues i Kosovës” me Shqipërinë dhe se do zbatojë “me prioritet marrëveshjen e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri”.
Kurti tha se numri i marrëveshjeve të bashkëpunimit në dekadën e fundit mes dy qeverive është tre-shifruar, por numri i zbatimit të tyre është “njëshifruar”. Prandaj sipas tij “është e nevojshme të kalojmë në zbatimin e marrëveshjeve”.