Vendosni fjalën kyçe....

Vokshi takime në Tiranë: Në 8 vitet e Ramës u larguan 180 mijë të rinj, ndryshimi do vijë me Bashën kryeministër


Koordinatorja e PD-së, Albana Vokshi, u takua sot me të rinj në zonën e Laprakës në Tiranë. Ajo u kërkoi atyre të angazhohen në fushatë si mënyra më e mirë për të rikthyer shpresën e besimin te qytetarët.

Gjatë fjalës së saj përfaqësuesja e PD-së tha se në 8 vitet e qeverisjes Rama nga vendi janë larguar mbi 180 mijë të rinj. Vokshi akuzoi kryeministrin Rama se i la në baltë të rinjtë në vend.

“Në 8 vite, 180 mijë të rinj janë larguar, sepse e vetmja alternativa që u jepte Edi Rama ishte mungesa e arsimit, mungesa e punësimit. Praktikisht e braktisi rininë. Praktikisht ju la në baltë. Pjesën më të mirë të shoqërisë shqiptare e la në baltë. Ju largoi ju që të fusë trafikantin e drogës dhe të qenieve njerëzore, vrasësin, kriminelin. Çfarë ju dha juve të rinjve në këto 8 vite? A është ndonjëri prej jush i punësuar në këto 8 vite? Sigurisht që jo. Ju la pa punë, ju la rrugëve, që ju të ikni.” – tha Vokshi.

Ajo shtoi më se vendi nuk ka ecur përpara në asnjë drejtim tetë  vitet e fundit duke akuzuar kryeministrin Rama se mashtroi shqiptarët, duke shkatërruar e grabitur çdo sektor.

“Gjatë këtyre 8 viteve, vendi nuk ka bërë përpara në asnjë drejtim, as në ekonomi, arsim, shëndetësi, ndërsa vendet fqinje kanë përparuar. Kjo ndodhi për shkak të mashtrimeve të Edi Ramës, i cili premtoi shëndetësi falas, por shkatërroi, premtoi 300 mijë vende pune, por i mbylli dhe largoi rininë, që premtoi uljen e taksave, por i rriti dhe i vodhi. Nuk duhet të mbajmë këtë njeri edhe 4 vite të tjera, tani që ka filluar të riciklojë të njëjtat premtime si para 8 vitesh. Të rinjtë nuk do t’ia japin këtë mundësi këtij kryeministri mashtrues.” – shtoi ajo.

Në fund Vokshi prezantoi alternativën e PD-së për të rinjtë në arsim e punësim duke thënë se ata janë në qendër të fokusit të qeverisë së re që do dalë pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Jam e sigurtë se jo vetëm ju që jeni këtu, por të gjithë të rinjtë nuk do t’i besojnë me as edhe një sekondë Edi Ramës si kryeministër. Në datën 25, me votën tuaj do të votoni një qeverisje që do të jetë e përgjegjshme. Do të votoni alternativën për rininë, që është alternativa e Partisë Demokratike, me kryeministër Lulzim Bashën, që ka vizionin dhe vullnetin për mbështetjen e rinisë. Nuk do të varet studimi juaj nga xhepi i prindërve, por thjesht nga vullneti juaj për të mësuar. Ju jeni një fokus të programit të PD, sepse ju jeni energjia dhe forca për të bërë këtë ndryshim në 25 prill.” – theksoi Vokshi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *