Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken deklaroi se administrata Biden do të nxisë demokracinë jashtë vendit, por jo përmes ndërhyrjeve të kushtueshme ushtarake, të cilat ai tha se kanë dështuar në të kaluarën.
Zoti Blinken i bëri komentet të mërkurën, në një fjalim ku parashtroi objektivat e politikës së jashtme të Presidentit Joe Biden.
Ndërkohë që ushtria amerikane kryen operacione në Irak prej 30 vjetësh dhe në Afganistan prej 20 vjetësh, kritikët e ndërhyrjeve ushtarake kanë bërë prej kohësh thirrje që Shtetet e Bashkuara t’i kthejnë trupat në atdhe dhe të heqin dorë nga përpjekjet për “ndryshime regjimesh” në të ardhmen, shkruan VOA.
Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të mërkurën se administrata Biden do të ndjekë rrugën për nxitjen e demokracisë jashtë vendit me anë të shembullit, jo të forcës.
“Ne do të stimulojmë sjelljen demokratike, por nuk do ta nxisim demokracinë përmes ndërhyrjeve të kushtueshme ushtarake ose duke u përpjekur të përmbysim regjime autoritare me forcë. Ne i kemi provuar këto taktika në të kaluarën. Sado me qëllim të mirë, ato nuk kanë funksionuar“, tha Sekretari i Shtetit.
Zoti Blinken tha se ndërhyrjet ushtarake i kanë dhënë një emër të keq nxitjes së demokracisë dhe kanë humbur besimin e popullit amerikan. Ai premtoi se administrata e re do t’i bëjë gjërat ndryshe, duke përfshirë punën për riparimin e demokracisë në vend, si një domosdoshmëri e politikës së jashtme.
Sekretari i Shtetit tha se Kina është kërcënimi më i madh, sepse është i vetmi vend që ka fuqinë për të sfiduar dhe destabilizuar sistemin e hapur ndërkombëtar. Ai tha se Uashingtoni duhet ta angazhojë Pekinin nga pozitat e fuqisë.
“Kjo kërkon të punosh me aleatët dhe partnerët, duke mos i denigruar ata, sepse pesha jonë e përbashkët ia bën shumë më të vështirë Kinës që të mos e përfillë atë. Kjo kërkon angazhim në diplomaci dhe në organizata ndërkombëtare, sepse atje ku ne jemi tërhequr, Kina ka depërtuar,” tha ai.
Zoti Blinken pranoi se ai dhe shumë anëtarë të administratës së re, përfshirë zotin Biden, kanë shërbyer nën Presidentin Barak Obama, por hodhi poshtë çdo ide se ekipi aktual është një rikrijim i administratës Obama. Ai tha se koha është e ndryshme dhe Presidenti Biden do ta shohë botën me një sy të ri.