Një ditë më pas, policia ka shoqëruar 12 persona lidhur me ekzekutimin e 31-vjeçarit, Tauland Gjikaj në Vlorë.
Sipas Report Tv janë kryer kontrolle të shumta nga ana e policisë në disa banesa. Deri tani, policia ka arrestuar vetëm një person si të dyshuar për ngjarjen, ai është Andi (Hans) Jonuzaj. Megjithatë janë shpallur në kërkim shtetasit Skedjan Gabrani dhe Elton Hajnaj, të cilët akuzohen se kanë ndihmuar Jonuzin, në vrasjen e 31-vjeçarit.
Sipas videove që kanë qarkulluar në medie, në ekzekutim kanë marrë pjesë tre persona, dy prej të cilëve kanë dalë nga makina për të qëlluar Gjikajn, ndërsa një i tretë i ka pritur në makinën tip “Ford” me targa AA 403 PX për t’i larguar nga vendi i ngjarjes.
Tauland Beqiraj (Gjikaj) ka qenë dje duke ecur në këmbë në rrugën “Transballkanike” pranë Gjykatës së Apelit, në momentin që është ndalur nga dy persona të cilët ishin të pamaskuar dhe të veshur me të zeza. Njëri prej tyre dyshohet se ishte Jonuzaj.
Policia ka sekuestruar edhe kallashnikovin e autorit të vrasjes, që u gjet në makinën tip “Ford”, ndërsa ai po përpiqej të largohej nga vendi i ngjarjes.
Tauland Beqiraj është një person me precedentë të mëparshëm penal për armëmbajtje pa leje dhe vrasje e mbetur në tentativë. Për momentin, policia po heton dy pista, atë të larjes së hesapeve për prishje pazaresh të drogës dhe e dyta për një përplasje me armë të ndodhur në vitin 2018 po në Vlorë.