Vendosni fjalën kyçe....

Hidrocentrali i Skavicës, qeveria miraton projektligjin për negocimin me Bechtel


Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi procedurën që do të ndiqet për negocimin me Bechtel International me të cilën më herët u nënshkrua një memorandum mirëkuptimi që ka në thelb projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.

Referuar projektligjit përcaktohen afatet që i lihen në dispozicion kompanisë për të sjellë një propozim mbi projektin si dhe autorizohet Avokatura e Shtetit që të asistojë në hartimin e kontratës.

Projektligji parashikon disa faza si për negocimin ashtu edhe për zbatimin e projektit.

HEC-i i Skavicës është një ndër projektet më të lakuar energjetikë në vend por që nuk ka gjetur zbatim.

Skavica është pjesë e projektit origjinal në kaskadën e Drinit dhe pritet të shërbejë si rregullues.

Kostot e vlerësuara deri në fazën e parafizibilitetit për këtë projekt janë respektivisht 308 milionë euro për alternativën me digë të ulët (deri në kuotën 388 m.m.n.d) dhe gati 510 milionë euro për alternativën me digë të lartë (deri në kuotën 443 m.m.n.d).

Leverdisshmëria e projektit

Sipas deklarimeve nga KESH, nëse i referohemi alternativës së ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës me digë të lartë, e cila është dhe alternativë më fizibël dhe më e vlefshme për vendin dhe sistemin tonë elektroenergjetik, rezulton që ky projekt e shlyen vlerën e investimit brenda dekadës së parë pas vendosjes në funksionim.

Nëse marrim në konsideratë faktin që jetëgjatësia e këtyre investimeve është deri në 100 vite, atëherë duket qartë leverdishmëria ekonomike e investimit.

Së pari, prodhimi i energjisë elektrike: aktualisht Shqipëria, në një vit mesatar, importon energji elektrike në sasi të konsiderueshme dhe prodhimi i pritshëm i hidrocentralit të Skavicës, i cili do të jetë deri 1,000 GWh/vit do të kontribuonte ndjeshëm në reduktimin e importit dhe në sigurinë energjetike të vendit.

Nga ana tjetër, leverdishmëria e këtij projekti qëndron në optimizimin e prodhimit të energjisë elektrike nga hidrocentralet ekzistuese të kaskadës së lumit Drin.

Kjo lidhet me faktin e përmendur më sipër që hidrocentrali i Skavicës do të jetë hidrocentrali i parë i vendosur në kaskadën e lumit Drin dhe ndërtimi i tij do të ketë ndikim dhe në hidrocentralet e tjerë të kaskadës.

Zhvillimi i hidrocentralit të Skavicës, sipas alternativës me digë të lartë, do të kishte një efekt të konsiderueshëm në optimizimin e prodhimit në hidrocentralet ekzistuese të kaskadës së lumit Drin, ku vlerësohet se hidrocentralet ekzistuese mesatarisht do të prodhojnë 80 GWh/vit më shumë energji elektrike nëse Skavica zhvillohet sipas kësaj alternative.

Ndikimi pozitiv i alternativës me digë të lartë është si rezultat i aftësisë së lartë rregullatore që do të ketë rezervuari i hidrocentralit të Skavicës, për shkak të vëllimit të tij, i cili të mundëson që të “magazinosh” energjinë elektrike në trajtën e rezervës hidrike, duke reduktuar shkarkimet e ujit pa prodhim energjie në hidrocentralet ekzistuese.

Një tjetër arsye që ndikon në optimizimin e prodhimit në hidrocentralet ekzistuese është fakti që, nëpërmjet hidrocentralit të Skavicës ne do të kemi më shumë mundësi të mbajmë nivelin e ujit në rezervuarin e hidrocentralit të Fierzës në kuotën më optimale të prodhimit nga ky hidrocentral, duke ulur konsumin specifik të ujit nga ky hidrocentral dhe për pasojë, do të optimizojmë dhe prodhimin.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *