Vendosni fjalën kyçe....

Tregu celular, One rrit numrin e përdoruesve, bie Vodafone


Rënia e numrit të përdoruesve aktivë të telefonisë celulare frenoi vitin e kaluar. Të dhënat nga Autoriteti i Komunkimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) treguan se në fund të vitit 2020, telefonia celulare kishte rreth 2.51 milionë përdorues aktivë, shifër kjo pothuajse e njëjtë me një vit më parë.

Shifra në vetvete i referohet numrit të kartave SIM aktive dhe rënia në vitet e mëparshme lidhej kryesisht me heqjen dorë të shqiptarëve nga përdorimi i disa numrave celularë, por edhe me ndërprerjen e aktivitetit të operatorit të katërt, Plus Communication.

Megjithëse numri total i përdoruesve aktivë vitin e kaluar nuk pësoi ndryshime të mëdha, dinamika ishte e ndryshme për tre operatorët e tregut. Operatori One Communications ishte i vetmi që raportoi rritje të numrit të përdoruesve aktivë, me 2.5% më shumë krahasuar me një vit më parë. One është operatori i dytë më i madh, me rreth 873 mijë përdorues në fund të vitit 2020. Kjo i jep One një pjesë tregu prej 34.7% sipas numrit të përdoruesve aktivë.

Operatori më i madh Vodafone Albania, vitin e kaluar pësoi rënie të numrit të përdoruesve aktivë, me 1.8% më pak krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, Vodafone ruajti dominimin, me rreth 1.22 milionë abonentë apo rreth 48.6% të numrit total të përdoruesve aktivë.

Operatori i tretë, Albtelecom Mobile, vitin e kaluar raportoi një ecuri në linjë me vlera mesatare të tregut. Numri i përdoruesve të Albtelecom në këtë segment ishte rreth 417 mijë, shifër kjo pothuajse e njëjtë me fundin e vitit 2019. Albtelecom zotëron afërsisht 16.6% të tregut sipas numrit total të përdoruesve aktivë.

One ishte njëkohësisht operatori që raportoi rritjen më të lartë të përdoruesve të internetit me brez të gjerë nga rrjeti i vet. Sipas shifrave të AKEP, numri i përdoruesve të internetit në One u rrit me 26.6%, në Albtelecom me 6.3% dhe në Vodafone me 4.3%. Megjithatë, edhe në këtë segment të tregut Vodafone Albania kryeson, me 49% të përdoruesve totalë, e ndjekur nga One me 36% dhe Albtelecom me 15%.

Pasqyrat financiare nuk janë ende të disponueshme, por mbështetur në statistikat e përdorimit të shërbimeve tregu i telefonisë celulare ishte një ndër të paktët që nuk pësoi rënie të volumit të aktivitetit, për shkak të pandemisë. Vitin e kaluar, trafiku i thirrjeve u rrit me 2.7%, ndërsa trafiku i internetit me 44.5%.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *