Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka shpallur sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, e në këto zgjedhje duket se më shumë se të gjithë ka triumfuar Vjosa Osmani.
Nga të gjitha votat e numëruara sipas KQZ-së, kandidatja për presidente Vjosa Osmani ka dalë personi më i votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Siç raportojnë mediet në Kosovë, drejtuesja e iniciativës “Guxo” dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, është zyrtarisht njeriu më i votuar jo vetëm në këto zgjedhje, por edhe njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë që prej kohës kur ato organizohen me lista të hapura.
Osmani ka marrë plot 300 mijë e 788 vota, duke lënë mbrapa kundër kandidatin tjetër për president Ramush Haradinaj, si dhe kandidatët e tjerë që ishin për kryeministër.
Edhe në zgjedhjet e vitit 2019, Osmani ishte gruaja më e votuar duke marrë 176 mijë e 016 vota.
Më parë kur votohej me lista të mbyllura dhe të gjitha votat i kalonin liderit të partisë, rekordin e njeriut më të votuar në Kosovë e mbante ish-presidenti dhe themeluesi i LDK-së, Ibrahim Rugova.
Në vitin 2001, Lidhja Demokratike e Kosovës kishte marrë 359 mijë e 851 vota apo 45.65 % që ishte përkthyer në 47 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Atë kohë Rugova kishte lënë prapa Hashim Thaçin me Partinë Demokratike të Kosovës që kishte marrë 202 mijë e 622 vota dhe Ramush Haradinajn që me AAK-në kishte marrë afro 62 mijë vota.
Këtë record votash, Osmani e ka marrë pas përplasjeve që ka patur me kreun e LDK-së, Isa Mustafën, saqë u detyrua të ndante rrugën edhe me partinë ku ajo kishte nisur karrierën e saj politike.