Vendosni fjalën kyçe....

Pandemia nuk prek bujqësinë, eksporti i perimeve dhe zarzavateve u rrit me 102% në janar


 

Teksa shumë sektorë të ekonomisë u futën në ngërç nga pandemia Covid -19, eksportet e prodhimeve bujqësore kanë pasur rritje të ndjeshme përgjatë vitit 2020, tendencë, që ka vijuar me ritme të larta edhe ketë vit.

Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT në muajin janar 2021 eksporti i zarzavateve dhe frutave u rrit me 102 për qind në raport me një vit më parë. Në janar 2021 eksportet totale të këtij grupi arritën vlerën e 451 milionë lekëve nga 203 milionë lekë që ishin në janar 2020. Zakonisht muaji janar është i dobët në eksportin e prodhimeve bujqësore pasi përfundon prodhimi sezonal. Por këtë vit burimet nga tregu pohojnë se ka pësuar rritje eksporti i perimeve të dimrit si preshit dhe lakrës në vendet e Bashkimit Europian.

Sipas ekspertëve nxitja e eksporteve bujqësore më shumë se sa nga prodhimi në fushë po vjen nga përmirësimi i zinxhirëve të tregtisë dhe eksportit.

Gjatë vitit 2020 eksportet e frutave dhe perimeve të prodhuara në vend arritën vlerën e 10,4 miliardë lekëve ose 84 milionë eurove.

Të dhënat nga tregu bëjnë me dije se rritja e shitjeve erdhi si pasojë e një sezoni më të mbarë prodhimi sidomos nga kushtet me të favorshme të motit.

Vlerën më të madhe të eksportit e shënuan zarzavatet me rreth 7.8 miliardë lekë të përfaqësuara nga rritja e kontratave me jashtë për shitjen e domates. Eksporti i zarzavateve në veçanti shënoi 7.8 miliardë lekë ose 63 milionë euro me një rritje 5,3 për qind në raport me një vit më pare.

Baza e eksporteve të frutave dhe perimeve është zgjeruar dukshëm gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Vlera e tyre është katërfishuar nga viti 2013, ku vlera e tyre ishte 2,8 miliardë lekë, duke arritur vlerën e 10.4 miliardë lekëve në vitin 2019.

Shkak për këtë rritje më së shumti janë faktorët gjeografike të cilët mundësojnë prodhimin më të hershëm të frutave dhe perimeve nga vendi ynë.

Por megjithë këtë, rritje Shqipëria mbetet e fundit në rajon për volumin e prodhimeve bujqësore dhe se ende është një vend që ende importon fruta dhe prime për nevoja të konsumit të brendshëm.

Të dhënat tregojnë se vitin e kaluar janë importuar 9.4 miliardë lekë ose rreth 77 milionë euro fruta dhe zarzavate nga jashtë vendit. Kjo vlerë përben 90 për qind të vlerës së eksportit të këtyre produkteve.

Vlerën më të lartë të importit e shënojnë frutat. Më 2019 u importuan gjithsej 6,8 miliardë lekë. Në tregtinë e frutave me jashtë Shqipëria është deficitare, pasi importon 6,8 miliardë lekë ose gati tre herë më shumë se eksporton.

Shqipëria është suficitare në tregtinë e perimeve dhe zarzavateve pasi eksporton 7,8 miliardë lekë dhe importon 2,5 miliardë lekë në vitin 2020.

VINI RE: Ky artikull është pronë intelektuale e Monitor.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *