Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK ministren Belinda Balluku, për 6 vepra penale në lidhje me koncesionin e kalatës së Portit të Durrësit që i është dhënë për pesë vite një kompanie, që demokratët thonë se është e regjistruar në parajsë fiskale.
Në padinë e PD-së, të dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion përfshihen edhe drejtori i Portit të Durrësit, Pirro Vengu, anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, si dhe kompania koncesionare, “Hili Company Limited”.
Në këtë padi, Partia Demokratike argumenton 2 shkelje të rënda të ligjit dhe dokumentave të tenderit: “Së pari, pasuria publike me vlerë 30 milionë euro, është bërë me procedurë të kufizuar, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik. Në ligj është e qartë se kjo procedurë nuk zhvillohet për shërbime që gjenden lehtësisht në treg, siç është puna në kalatë. Së dyti, koncesioni iu dha një kompanie me pronarë të rregjistruar në parajsa fiskale, në kundërshtim me përcaktimet e tenderit. Në dokumentat e tenderit thuhet qartë se ‘Ofertuesi, përfshirë anëtarët e Bashkimit të Përkohshëm dhe ortakët e tij nuk duhet të jetë i regjistruar në vende të njohura si parajsa fiskale/offshore’.”
“Fakti që ky operator është kualifikuar në kundërshtim me këto kritere ligjore është element i qartë që kemi të bëjmë me konsumimin e elementeve të veprave penale të korrupsionit”– thuhet në padi.
PD i kërkon SPAK-ut që gjatë hetimit të kontaktojë edhe kompaninë gjermane HHLA International Gmbh, një nga kompanitë pretendente për këtë koncesion, por që u tërhoq nga gara. “Marrja kontakt me përfaqësuesit e kësaj kompanie për të treguar arsyet kryesore që çuan në tërheqjen e saj nga ky prokurim publik do të nxjerrë më pah të gjithë skemën korruptive dhe do të vërtetojë garën me fitues të paracaktuar HILI COMPANY LIMITED.”– thuhet në padinë e nënshkruar nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.
Sipas PD-së, kompania që operon në Maltë, ka aksionerë të fshehur në parajsa fiskale dhe njihet ndërkombëtarisht për operacione të dyshimta të pastrimit të parave nga skandali i “Panama Papers”.