Kryeministri Edi Rama në këto momente po prezanton planin për Rindërtimin.
“15 muaj më parë ne u zgjuam nga një tronditje e jashtëzakonshme që lëkundi themelet e shtëpive tona dhe që ngjalli ankthin e madh të asaj çka kishte ndodhur rreth nesh. Shumë shpejt mësova që diku pranë, në Durrës tërmeti i 26 nëntorit kishte goditur shumë fort dhe pastaj minutë pas minuti informacioni shtrihej duke krijuar një perimetër, që sot është perimetri brenda të cilit ne po kurojmë pa pushim plagët e mëdha të hapura atë natë. Dhe sot kur ne jemi në rrugën drejt 25 Prillit dhe shumëkush flet për tetë vite, unë dëshiroj të bëj një korrigjim.
Në fakt nuk janë ende tetë vite sepse ne kemi hyrë në zyrë në gjysmën e dytë të shtatorit të vitit 2013 dhe jo vetëm kaq, por ky ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm i një qeverie shqiptare, sepse është thyer në mes nga tërmeti e nga pandemia, duke përmbysur të gjitha planet tona, kalendarët e punës sonë, prioritetet tona e duke e kthyer plotësisht vëmendjen në dy drejtime që na kanë vënë përballë dy sfidave të jashtëzakonshme.
E them me bindje të plotë, dy goditje që do kishin rrëzuar përtokë një elefant, e jo më një qeveri të Shqipërisë. Dy sfida që askush tjetër, ju i njihni se cilët, nuk do mund t’i përballonte me forcën, vullnetin dhe dinjitetin që po i përballojmë ne, PS.”– deklaroi Rama.
Dy ditët e mëparshme, ai ka folur për Reformën në Drejtësi dhe Shëndetësi.