Mijëra protestues dolën në rrugët e kryeqytetit të Austrisë mes zemërimit në rritje për kufizimet e qeverisë lidhur me pandeminë Covid-19. Sipas raporteve, tubimi çoi në përleshje mes qytetarëve e policisë dhe disa persona u arrestuan.
Gazeta ‘Krone’ e Austrisë raportoi se rreth 15,000 njerëz morën pjesë në tubimin e së shtunës. Demonstruesit mbanin pankarta ku shkruhej ‘Kurz duhet të ikë’ ndërsa ata brohorisnin parrulla duke kërkuar dorëheqjen e Kancelarit Sebastian Kurz.
Pamjet nga agjencia video e RT-së, Ruptly, tregojnë protestuesit që derdhen në rrugët e Vjenës qendrore ndërsa valëvitnin flamuj të Austrisë. Disa nga demonstruesit u mblodhën në një park ku dëgjuan fjalime nga udhëheqësit e Partisë së Lirë të Austrisë të krahut të djathtë, e cila kishte bërë thirrje për tubim.
Duke folur para turmës, ish-ministri i Brendshëm Herbert Kickl akuzoi qeverinë dhe i përshkroi kufizimet e Covid-19 si ‘të çuditshme dhe të çmendura, aq sa asnjë regjisor i Hollivudit nuk mund t’i kompozonte dot’.
Austria filloi heqjen e kufizimeve të bllokimit muajin e kaluar dhe rihapi shkollat, dyqanet dhe muzetë, por restorantet dhe kafenetë mbeten të mbyllura. Protestuesit gjithashtu shprehën zemërimin për testet e detyrueshme Covid-19 që fëmijët duhet të bëjnë për të shkuar në shkollë.