Mbulimi i fytyrës në publik për arsye jo-mjekësore do të bëhet i paligjshëm në Zvicër pasi një propozim i quajtur “ndalimi i burkës” u pranua nga një diferencë e ngushtë e votuesve në një referendum të detyrueshëm kombëtar të dielën.
Përkrahësit e “ndalimit të burkës” kanë mbizotëruar në vendin alpin, me 51.2 përqind që janë pro dhe 48.8 përqind që janë kundër, treguan të dhënat zyrtare pasi u numëruan votat.
Në përputhje me sistemin zviceran të demokracisë së drejtpërdrejtë, kushtetuta e vendit tani do të ndryshohet për të ndaluar mbulimin e fytyrave në vende publike, përveç tre arsyeve specifike.
Legjislacioni, i cili ishte promovuar nga Partia Popullore Zvicerane e krahut të djathtë (SVP) që nga viti 2016, nuk e përmendi Islamin drejtpërdrejt dhe sipas përkrahësve synon parandalimin e protestuesve të dhunshëm që të fshehnin identitetin e tyre.
Megjithatë u quajt “ndalimi i burkës” nga media dhe politikanët për shkak të kufizimit të mbulesave të fytyrave të veshura nga gratë muslimane.
Ekzistojnë disa përjashtime nga “ndalimi i burkës” – lejon mbulimin e fytyrës për arsye sigurie, klime ose shëndetësore.
Si e tillë, nuk do të binte në kundërshtim me masat anti-koronavirus që detyrojnë qytetarët zviceranë të mbajnë maska për fytyrën në vende publike, në transportin publik dhe në hapësirat e brendshme të punës. Gratë muslimane gjithashtu do të lejohen të mbajnë burka dhe nikab në vendet e adhurimit.