Vendosni fjalën kyçe....

2011-2020, qarqet e Kukësit dhe Beratit me rënien më të madhe të lindjeve


Lindjet janë vënë në trajektore rënieje në dekadën e fundit, por në disa qarqe fenomeni ka qenë më agresiv.

Gjatë periudhës 2011 – 2020 lindjet në shkallë kombëtare kanë rënë me 18 %. Nga 34,285 bebe të lindura më 2011 në vitin 2020 linden 28,075.

Qarku i Kukësit shënoi rënien më të madhe në shkallë vendi. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit në prefekturën Verilindore lindshmëria shënoi rënie me 37.8 për qind. Edhe pse qarku ka ende një normë të lartë fertilitetit, lindshmëria ka pësuar rënie për shkak të emigrimit masiv të popullsisë jashtë vendit dhe në qytetet e të tjera.

Një anketë e INSTAT për emigracionin në vitin 2019 gjeti se rreth 30% e familjeve në këtë qark kishin një anëtar në emigracion. Gjithashtu Kukësi rezultoi prefektura me përqindjen më të lartë të popullsisë që ndryshon vendbanimin brenda vendit, me 16,1 për qind të popullsisë së përgjithshme banuese në vitin 2011.

Pas Kukësit rënien më të madhe të lindshmërisë gjatë dekadës së fundit e ka shënuar qarku i Beratit me 34.3%. Lindjet në këtë qark kanë ranë për të njëjtat arsye si në Kukës. Pasi gjatë 2011-2020 prefektura e Beratit ka parë tkurrje të popullsisë për shkak të emigrimit të brendshëm dhe të jashtë. Familjet me emigrantë u shtuan me 24 për qind gjatë periudhës në fjalë sipas anketës së emigracionit.

Gjirokastra renditet e treta për rënien e madhe të lindshmërisë me 32.2% dhe më pas Vlora me mbi 31 për qind për të njëjtën periudhë. Rënia e lindjeve edhe në këto qarqe lidhet e plakjen popullsisë për shkak të largimit të te rinjve në moshë riprodhimi në emigracion ose në Tiranë.

Në të kundërt rënien më të ulët të lindjeve e kishin Tirana dhe Durrësi përkatësisht me -1.6 dhe -12.0%. Këto dy qarqe edhe pse me rënie të lindjeve kanë shtesë natyrore pozitive të popullsisë për shkak të zhvendosjeve të nga rrethet e tjera drejt tyre.

Si pasojë e kësaj situate zhvillimet demografike janë duke u zhvilluar sipas skenarëve pesimistë të projeksioneve të popullsisë. Sipas rishikimit të fundit që i takon periudhës 2019-2031, në skenarin pesimist indeksi i fertilitetit për një grua në vitin 2019 ishte 1.36 njësoj si në skenarin pësimit, por në të ardhmen treguesi mund të përkeqësohet përtej këtij skenari për shkak se anketat e tërthortë tregojnë se emigracioni gjatë dekadës së fundit ka qenë më i lartë se pritshmëritë.

Vendet e Evropës Lindore përjetuan rënie të lindshmërisë gjatë viteve 1990 dhe 2000, ku indeksi Sintetik i Fekonditetit (ISF) arriti në nivele shumë të ulëta. Rastet më ekstreme janë ato të Bullgarisë (1,09 fëmijë për grua) dhe të Republikës Çeke (1,13 fëmijë për grua), për pjesën tjetër të vendeve të Evropës Lindore ISF arriti minimumin, rreth vlerës 1,2 lindje për grua.

Në hipotezën e lindshmërisë së ulët në Shqipëri mendohet që ISF do të arrijë nivelin 1,2 në vitin 2031, por zhvillimet reale po tregojnë se ky nivel do të arrihet para këtij viti.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *