Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu show nga “Shefqet Ndroqi” për 8 Marsin: Gratë po ndryshojnë botën


Ministrja e Shëndetësisë ka zgjedhur spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ në Tiranë për të uruar 8 Marsin grave të vendit.

Me një skenografi të menduar me kujdes, ku mjeket e infermieret e spitalit Covid 2 ishin rreshtuar pas kurrizit të saj, Manastirliu s’i kurseu falënderimet për personelin shëndetësor të këtij spitali.

Ajo tha se gratë po ndryshojnë botën dhe se sistemi shëndetësor në vend është ndryshuar nga gratë që përbëjnë më shumë se 60% të personelit.

“Keni zgjedhur çdo ditë, orë e pa orë t’u shërbeni qytetarëve sidomos në këtë kohë të vështirë. Keni zgjedhur të kujdeseni për pacientët, që kanë nevojë për ne. Gjatë një viti jo të lehtë keni treguar me profesionalizëm e vetëmohim dhe u keni shërbyer qytetarëe të prekur nga virusi. Gratë janë kolona që mbajnë sistemin tonë shëndetësor. Zgjodha të jem me ju sot, 311 gra punojnë në këtë spital, luftojnë kundër armikut të padukshëm dhe japin më të mirë për t’i shërbyer qytetarëve. Gratë po ndryshojnë botën dhe secila prej jush është një grua që ka sjellë ndryshim në sistemin tonë shëndetësor. Faleminderit për sakrificën tuaj të përditshme.” – tha ndër të tjera Manastirliu në fjalën e saj.

Shqipëria është një nga vendet e botës me më shumë vdekje mes mjekëve e infermierëve. Vetëm gjatë shkurtit kanë humbur jetën më shumë se 15 bluza të bardha.

Edhe pse kryeministri Rama prej javësh flet për vaksinimin e bluzave të bardha, ky proces nuk është përmbyllur ende dhe viktimat mes tyre sa vijnë e shtohen dita-ditës.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *