Në ditën e tretë të udhëtimit të tij historik në Irak, Papa Françesku ka vizituar një pjesë të Irakut verior që mbahej më parë nga militantët e Shtetit Islamik (ISIS).
Të krishterët ishin në mesin e atyre që ishin në shënjestër të ISIS-it kur pushtuan rajonin në vitin 2014, duke kryer dhe abuzime të të drejtave të njeriut.
Siç shkruan BBC, Papa u lut mes kishave të shkatërruara në Mosul, ish-fortesa e ISIS-it përpara se të takonte të krishterët në Qaraqosh.
Në Mosul ai vizitoi Sheshin e Kishave për t’u lutur për viktimat e luftës me grupin e Shtetit Islamik, që la të vdekur mijëra civilë.
I rrethuar nga rrënojat rrënqethëse të katër kishave, ai tha se eksodi i të krishterëve nga Iraku dhe Lindja e Mesme e gjerë kishte bërë “dëm të pallogaritshëm jo vetëm për individët dhe komunitetet në fjalë, por edhe për shoqërinë që ata lënë pas”.
Ai mbajti dhe një meshë në një stadium në Irbil, ku tha se Iraku do të mbetej në zemrën e tij.
Mijëra njerëz morën pjesë në shërbimin e meshës pavarësisht shqetësimeve të Covid-19.
Iraku ka regjistruar më shumë se 13 mijë e 500 vdekje nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë dhe më shumë se 726,000 raste, ndërsa ka regjistruar dhe një rritje të mprehtë të infeksioneve gjatë muajit të kaluar.
Udhëheqësi 84-vjeçar i Kishës Katolike dhe shoqëruesit e tij janë vaksinuar të gjithë, por Iraku ka marrë vetëm grupin e parë të dozave të vaksinës anti-Covid javën e kaluar.