Në intervistën e bujshme me Oprah Winfrey, princ Harry ka deklaruar se ndihet i dëshpëruar nga babai i tij Princi Charles dhe se nëna e tij e ndjerë Diana do të kishte qenë e zemëruar dhe e mërzitur me mënyrën se si familja mbretërore britanike e kishte trajtuar gruan e tij, Meghanin.
Harry tha se ai nuk do të ishte larguar nga familja mbretërore po të mos kishte qenë për Meghanin, sepse “unë isha i bllokuar por nuk e dija se isha i bllokuar”.
“Ndihem vërtet i zhgënjyer sepse ai ka kaluar diçka të ngjashme. Ai e di se si është kjo dhimbje.”- tha Harry për babanë e tij, citon Reuters. “Unë gjithmonë do ta dua atë, por më ka lënduar shumë.”
Ai tha gjithashtu se ka qenë familja e tij që i ka shkëputur atij financat. “Familja ime më preu financiarisht. Por unë kam atë që nëna ime më la dhe pa atë nuk do të ishim në gjendje ta bënim këtë.”- tha Harry.
Mes të tjerash duka i Sussex-it tha se babai i tij Princi Charles, i cili është dhe trashëgimtari i fronit britanik, nuk i hapte më telefonatat e tij.
“Kam pasur tre biseda me gjyshen time dhe dy biseda me babanë tim para se ai të ndalonte marrjen e telefonatave të mia. Dhe pastaj ai tha, a mund t’i shkruash të gjitha këto me shkrim?”- tregon Harry.