Pas Vasilika Hysit, në listën e kandidatëve për deputet të PS-së do mungojë edhe Eglantina Gjermeni.
Lajmin për tërheqjen e deputetes e ish-ministres së PS-së e ka njoftuar kryeministri Rama nëpërmjet një postimi në Facebook.
Kreu i qeverisë i falënderon Gjermenin e Hysin për kontributin e tyre në PS në 12 vite si dhe për tërheqjen plot klas nga jeta parlamentare.
“Mirënjohje gjithmonë në këtë Ditë të Gruas, dy bashkëpunëtoreve simbol të promovimit të legjislacionit mbi barazinë gjinore, të drejtat e grave, fëmijëve, minoriteteve dhe kundër dhunës ndaj gruas; dy aktivisteve shembullore të Shoqërisë Civile, që sollën në PS vlera e kontribute të reja dhe për 12 vjet rresht e përfaqësuan PS me dinjitet e profesionalizëm, në Kuvend e në Qeveri. Vasilika Hysi dhe Eglantina Gjermeni, shumë faleminderit nga zemra për gjithçka dhatë e bëtë në këtë rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe faleminderit edhe për leksionin e qytetarisë, mençurisë e mirësisë që u dhatë të gjithëve, me tërheqjen plot klas nga jeta parlamentare, si edhe premtimin për të vazhduar të jeni pjesë e këtij rrugëtimi pavarësisht karriges.” – shkruan Rama në Facebook.