Vendosni fjalën kyçe....

Vaksinat anticovid-19 të aprovuara deri më 5 mars 2021


Open Data Albania po liston vaksinat Anti Covid 19 të aprovuara të paktën nga një shtet, deri në datën 5 Mars 2021. Lista identifikon datën e miratimit fillestar nga shteti, llojin, vendin zhvillues, vendet ku janë eksperimentuar si dhe vendet që tashmë kanë aprovuar përdorimin e tyre. Burim Informacioni për këtë artikull hulumtues është Universiteti Publik McGill në Kebek, Kanada, Institucion që ka krijuar një databazë mbi gjurmimin e eksperimenteve dhe aprovimit të Vaksinave. Për datën e aprovimit fillestar të vaksinave, janë përdorur edhe të dhëna të prezantimit në mediat ndërkombëtare.

Që prej datës 25 qershor 2020 datë kur u anoncua vaksina e parë e deri më 5 Mars janë aprovuar 12 vaksina në total, zhvilluar nga vende të ndryshme.

Sinovac-CoronaVac (Kinë) e aprovuar për përdorim në Kinë në datën 25 Qershor 2020 është vaksina e para e aprovuar nga një shtet për përdorim. Ajo pasohet me një vaksinë tjetër po Kineze të aprovuar në Korrik 2020. Deri tani këto dy vaksina janë njohur dhe aprovuar për përdorim përkatësisht SinoVac Coronavac në 3 shtete dhe ConSino në 16 shtete.  Vendet aprovuese janë në kontinentin Aziatik dhe në kontinente si Amerika e Veriut dhe Amerika e Jugut. Dy vaksinat e para Kineze pasohen nga Rusja Gamaleya-Sputnik V, e cila është prodhuar nga Instituti i Kërkimeve të Epidemiologjisë dhe Mikrobiologjisë Gamaleya në Rusi. Kjo vaksinë u aprovua për përdorim fillimisht nga Rusia në muajin Gusht 2020 dhe më pas është aprovuar dhe në 43 vende të tjera. Ndërsa vaksina më e re që është pranuar për parandalimin e sëmundjes Covid 19 është Janssen (Johnson & Johnson), aprovuar në datë 25 Shkurt. Kjo vaksinë është eksperimentuar në 17 vende të ndryshme dhe është miratuar deri tani në 4 vende. Muaji dhjetor 2020 ka qenë muaji më intensiv në të cilin janë aprovuar (nga shtetet) 4 vaksina të reja.

Vaksina Anti Covid 19 sipas dinamikës: Eksperimentim, Aprovim. Nëse shohim Vaksinat sipas Vendeve që tashmë kanë bërë aprovim na rezulton se janë dy vaksina me numrin më të lartë të aprovimeve: Pfizer/BioNTech dhe Oxford/AstraZeneca, të cilat janë aprovuar nga një numër i njëjtë vendesh, përkatësisht nga 68 vende të ndryshme për secilën vaksinë. Nga këto dy vaksina, ajo me numër më të lartë eksperimentimi është Oxford/AstraZeneca, që shënon 22 të tilla, në 13 vende të ndryshme. Ndërsa vaksina Pfizer/BioNTech shënon 12 eksperimente, në 9 vende të ndryshme. Gjithashtu, vaksina Serum Institute of India-Covishield shënon vetëm 1 eksperiment në 2 vende të ndryshme, por është aprovuar nga 17 vende.

Vaksinat Anti Covid 19 të miratuara, sipas vendit zhvillues  Nëse shohim vaksinat e aprovuara sipas shteteve që i kanë zhvilluar, konstatojmë se Kina është vendi me numrin më të lartë të vaksinave të zhvilluara deri më tani, përkatësisht me 4 nga 12 të aprovuara, që janë vaksinat: Sinopharm (Pekin); Sinovac-CoronaVac; CanSino dhe Sinopharm (Vuhan). Ndërsa, vendi i dytë është SHBA, që ka prodhuar 2 vaksinat: Moderna dhe Janssen (Johnson & Johnson), dhe në bashkëpunim tregtar me njw kompani Gjermane është zhvilluar një vaksinë: Pfizer/BioNTech. Rusia ka zhvilluar dy vaksinat: Gamaleya -Sputnik V dhe FBRI-EpiVacCorona. India ka zhvilluar gjithashtu dy vaksina: Serum Institute of India-Covishield dhe Bharat Biotech -Covaxin. Mbretëria e Bashkuar në bashkëpunim me kompaninë Suedeze-Britanikë ka zhvilluar vaksinë Oxford/AstraZeneca.

Vaksinat Anti Covid 19 të miratuara, sipas shtrirjes gjeografike Për të kuptuar se sa është shtrirë aprovimi i vaksinave të aprovuara nga vende të ndryshme sipas kontinenteve, kemi listuar kontinentet ku të paktën një Shtet ka bërë Aprovim.

Vaksina më e përhapur gjeografikisht është Pfizer/BioNTech dhe Oxford/AstraZeneca, ku secila prej tyre është miratuar të paktën nga një Shtet në gjashtë kontinente: Afrikë, Amerika e Jugut, Amerika e Veriut, Azia, Australia (Oceania) dhe Evropa. Vaksina Kineze dhe ajo Ruse duket gjithashtu të ketë njohje me të paktën një shtet në 5 kontinente mes tyre edhe një vend Amerika e Veriut (Kanada). Nga ana tjetër nuk kemi të dhëna për numrin e personave të vaksinuar sipas secilës vaksinë.

Vaksinat Anti Covid 19 të miratuara, sipas Llojit (tipit). Vaksinat janë të llojeve të ndryshme. Përveç origjinës apo firmës që i prodhon, me rëndësi esenciale është lloji i tyre dhe ndërhyrja që bën në organizëm. Sipas publikimit të databazës së COVID-19 vaccine tracker, na rezultojnë grupe dhe lloje vaksinash si për poshtë:

  • Proteinë njësi (subunit), përbëhet vetëm nga proteina e patogjenit.
  • Grimca të ngjashme virusi (virus-like particle), proteina që imitojnë vetë patogjenin.
  • Bazuar në ADN (DNA based), vetëm materiali gjenetik nga patogjeni. Bazuar në ARN (RNA based), vetëm materiali gjenetik nga patogjeni.
  • Vektori Viral Joreplikues (Non Replicating Viral Vector), një virus tjetër që nuk mund të kopjojë vetvetën, mbart gjenet e patogjenit.
  • Vektori Viral Replikues (Replicating Viral Vector), një virus tjetër që mund të kopjojë vetvetën, mbart gjenet e patogjenit.
  • Joaktiv (Inactivated), patogjen i vdekur që nuk mund të replikojë vetvetën.
  • Jetë-dobësues (live-attenuated), formë e dobësuar e patogjenit.

Nëse shikojmë secilën nga vaksinat e aprovuara sipas llojit, vërehet se nga 12 vaksinat e aprovuara: Pese vaksina janë me Vektor viral jo replikues konkretisht Oxford/AstraZeneca; Gamaleya Sputinik; Serum Institute of India-Covishield; CanSino dhe Janssen (Johnson & Johnson). Vaksina të llojit RNA janë dy konkretisht Pfizer/BioNTech dhe Moderna). Katër vaksina janë të llojit Joaktiv: Sinopharm (Pekin); Sinopharm (Wuhan); Sinovac-CoronaVac dhe Bharat Biotech –Covaxin.

Një vaksinë është e llojit Njësi proteine (FBRI-EpiVacCorona).

Shqipëria deri në datën 5 Mars 2021 rezulton të ketë dhënë aprovim shtetëror vetëm për Vaksinën Pfizer. Në botë deri tani gjurmohen 91 vaksina kandidate në tentativë për të kaluar eksperimente apo për tu aprovuar nga autoritetet shtetërore dhe ndërkombëtare. Ky artikull nuk përmban informacion mbi protokolle të njohjes së Medikamentit nga Organizata Botërore e Shëndetit apo Autoritetit përkatës për njohjen e medikamenteve në EU.

VINI RE: Material është pronësi intelektuale e Opendata


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *