Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë Republikane të drejtuar nga Fatmir Mediu, për të lejuar tubimet elektorale për zgjedhjet e 25 prillit. Kështu raporton televizioni “News 24”.
Gjykata Kushtetuese me vendimin e sotëm detyron Komitetin Teknik të Ekspertëve që të “rishohë kohëzgjatjen e e kufizimeve” brenda një jave nga shpallja e vendimit.
Sipas rregullave të vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, ndalohen të gjitha grumbullimet e më shumë se 10 personave, duke përfshirë këtu tubimet elektorale.
Por PR ka kërkuar lejimin e tyre, duke pretenduar se të njëjtat rregulla nu zbatohen njëlloj për të gjitha palët. Në një deklaratë për mediet, Fatmir Mediu kujtonte rastin e zv.ministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli, njëkohësisht anëtare e Komitetit Teknik, e cila merrte pjesë në një takim të PS-së.