Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka rrëzuar kërkesën e gjyqtares së Krujës, Enkeleida Hoxha, për ndryshim të masës së sigurisë.
Gjyqtarja po qëndron në paraburgim, mirëpo kërkon lirinë e saj duke argumentuar se fëmijët e saj kanë nevojë për të.
“Gjendja shëndetësore e djalit tim është rënduar.
Ai ka nevoje për kujdesin tim. Vajza e mitur ka braktisur shkollën qe pas arrestimit tim.”- shprehet gjyqtarja. Zonja Hoxha ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Djali i cili festoi 19-vjetorin ditën e arrestimit të nënës, vuan nga epilepsia. Ndërkohë që nëna qëndron në burg, fëmijët qëndrojnë me gjyshërit. Por edhe babai i gjyqtares ka deklaruar se vuan nga sëmundja e Parkinsonit dhe se s’mund të kujdeset për nipërit.
Por GJKKO nuk e ka pranuar kërkesën e gjyqtares Hoxha, duke lënë në fuqi masën e arrestit me burg.
Gjyqtarja Enkeleida Hoxha akuzohet për përfshirjen në një skemë korruptive në Gjykatën e Krujës, së bashku me disa zyrtarë të tjerë. Ajo akuzohet se në këmbim të shumave të parave, ka mundësuar lirimin e disa të dënuarve me burgim të përjetshëm apo dënime të tjera të rënda.