Drejtuesi politik i PD-së në qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj, ka dhënë dorëheqjen mbrëmjen e sotme. Shkak për këtë është bërë mosdakordësia me listën e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 25 prillit.
Mbledhja e mbrëmjes së sotme së degës së PD-së në Vlorë është shoqëruar me tensione e Leskaj ka dhënë dorëheqjen si drejtues politik i PD-së, shkruan MCN TV.
Gjatë mbledhjes, ish-kreu i KLSH-së ka argumentuar se në listë pas emrit të tij nuk është pozicionuar një qytetar i Vlorës.
Ai ka propozuar emrin e Genc Deromemajt, për renditjen në listë pas tij, por anëtarët e PD-së së Vlorës e kanë kundërshtuar. Leskaj kërkoi ndryshimin e listës pasi sipas tij, në atë aktualen janë emra që s’i njeh kush e nuk i voton njeri.
Vetë Leskaj kryeson listën e kandidatëve për deputet në Vlorë. Pas tij renditet zëdhënësja e PD-së, Zhupa ndërsa lista vijon me Fatjon Veizajn, Arbër Agalliun, Gëzim Ademajn, Nada Daulljan, Jolio Dinen, Julian Zoton, Nada Meçorapajn, etj.