Nga Renis Cerga
Këtu e rreth 220 vjet më parë, gjatë luftrave të Napoleon Bonapartit, një kirurg francez, me emrin Dominique Jean Larrey, në kushtet e pamundësisë së spitaleve ushtarake, për të trajtuar të gjithë të plagosurit, shpiku një protokoll, për të përcaktuar se cili nga të plagosurit duhej trajtuar dhe cili duhej lënë të priste ose edhe të vdiste.
Larrey e quajti “triage” (triazh) shpikjen e tij, fjalë e cila në frëngjisht do të thotë të rendisësh apo të perzgjedhësh. Që nga ajo kohë, triazhi është përdorur shpesh gjatë historisë së njerëzimit, por gjithnjë nga pamundësia dhe me dhimbje të madhe.
Asnjë mjeku nuk i pëlqen të bëjë perëndinë dhe të përcaktojë se kush duhet të jetojë e kush të vdesë. Ne nga frikërat e pandemisë së coronavirusit ishte pikërisht mundësia që triazhi të bëhej i detyrueshëm, sepse spitalet mund të përmbyteshin.
Megjithëse në mjekesi, triazhi është një procedurë shumë e pakëndshme, ka disa vende të botes së tretë, ku hyn edhe Shqipëria, që përdorin triazhin politik.
Kryetari i partisë vendos se kush duhet të jetojë politikisht dhe kush duhet të vdesë. Në vend që këtë gjeë ta bëjnë zgjedhësit, të cilët janë perëndia e politikanit, kryetari i partisë vendos të triazhojë kandidatët, sipas bindjes, qejfit ose interesit të tij.
Kuptohet që hatërmbetjet, fërkimet, largimet, deklaratat, akuzat, etj., janë të pashmangshme. Në fund fare, gjithkush mund të ndihet i paqartë se pse filan kandidat është numri 3 në listë, ndërsa fisteku numri 6.
Sidomos kur shpesh, në këtë histori 12 vjeçare, janë parë katapultime astronomike, që më vonë kanë rezultuar në dështime fenomenale. Apo më keq akoma, deputetë që shiteshin si bagëtitë në tregun e gjësë së gjallë dhe kalonin pa pikë problemi, nga njëri krah në tjetrin, të sigurt se do të rizgjidheshin deputetë, mjafton ta kishin mirë me kryetarin e fundit.
Edhe në këto zgjedhje, kandidatët për deputetë, u triazhuan nga kryetarët. Shumë emra mbeten jashtë, shume të panjohur hynë brenda, shumë figura publike u bënë figura politike. E gjitha kjo, jo nëpërmjet përzgjedhjes natyrore darviniane (konkurrencë e lirë), por nëpërmjet përzgjedhjes artificiale naziste (përmirësim i racës, sipas mendjes së kryetarit).
Kaq i rëndësishëm është ky proces për kryetarët, sa hapja e listës u trajtua prej tyre me terror. Duke qenë se nuk e kundërshtonin dot hapur, u perdor dinakëria. Kur kundërshtonte njëri, bëhej pro tjetri. Në fund, patatja e përvëluar i mbeti Rameës, i cili u detyrua të bënte një ligj, që i mbante listat të mbyllura, por i quante të hapura!!!
Protestat dhe mospëlqimet e sotme janë tërësisht të kota. Duhej protestuar fort dhe pa kompromis, në momentin kur u bë ky ligj sharlatanesk dhe antikushtetues (kushtetuta aktuale flet për lista të hapura). Jam shumë i lumtur për deputetët që e votuan atë ligj dhe që sot e shohin veten jashtë listave.
Morën atë që merituan!