Kina dhe Rusia kanë njoftuar planet e tyre të përbashkëta, për të ndërtuar një stacion hapësinor hënor.
Agjencia Ruse e Hapësirës Roscosmos thotë se ka nënshkruar një marrëveshje me Administratën Kombëtare të Hapësirës të Kinës, për të zhvilluar pajisje kërkimore në sipërfaqen e hënës, në orbitë ose në të dyja.
Në një deklaratë nga agjencitë hapësinore të të dy vendeve thuhet se ky stacion hapësinor do të jetë në dispozicion për t’u përdorur dhe nga kombet e tjera.
Ky bashkëpunim vjen në një kohë kur Rusia po përgatitet të festojë 60-vjetorin e fluturimit të saj të parë hapësinor me njerëz.
“Kina dhe Rusia do të përdorin përvojën e tyre të akumuluar në shkencën hapësinore, kërkimin dhe zhvillimin dhe përdorimin e pajisjeve hapësinore dhe teknologjisë hapësinore për të zhvilluar së bashku një hartë rrugore për ndërtimin e një stacioni ndërkombëtar hënor për kërkim shkencor.”- thuhej në deklaratën e palës kineze, citon BBC.
Po ashtu thuhej se dy vendet, Rusia dhe Kina do të bashkëpunojnë në planifikimin, hartimin, zhvillimin dhe funksionimin e stacionit të kërkimit.
Chen Lan, një analist i specializuar në programin hapësinor të Kinës, i tha agjencisë së lajmeve AFP se projekti ishte një “çështje e madhe”.
“Ky do të jetë projekti më i madh ndërkombëtar i bashkëpunimit hapësinor për Kinën, kështu që është domethënës.”- tha ai, citon BBC.
Rusia, e cila ishte pioniere e eksplorimit të hapësirës, është eklipsuar nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara në vitet e fundit. Vitin e kaluar ajo humbi monopolin për të dërguar astronautë në stacionin hapësinor ndërkombëtar pas lëshimit të suksesshëm të “SpaceX”-it.