Kreu i fushatës së PD-së, Alfred Rushaj, ka denoncuar deputetin e PS-së, Ervin Bushati, se po shpërndan ushqime për personat në nevojë nga zyra e PS-së në Njësinë 8 në Tiranë.
Rushaj ka publikuar disa foto ku duken një grup personash që largohen nga zyra me qese në duar brenda të cilave ka ushqime të ndryshme si miell, makarona, oriz e vaj.
Përfaqësuesi i PD-së shkruan se Bushati i shpërndan këto ndihma nga dëshpërimi duke shtuar se ndihmën ekonomike qytetarët duhet ta merrnin në njësin administrative e jo në zyrën e PS-së.
“Një votë sa një lëmoshë. Ervin Bushati, nga dëshpërimi, shpërndan lëmoshë për socialistët në nevojë të cilët ndihmën ekonomike duhet ta marrin nga njësitë administrative dhe jo zyrat e PS-së. Është mjerane të shohësh se si shqiptarët e varfër sa s’ka mblidhen rreth zyrës së PS-së në njësinë 8 për një trastë me miell, oriz, makarona e vaj. Kaq vlen një votë e lypur nga rilindasit?! Pamjet tregojnë qartazi paaftësinë dhe korrupsionin e funksionarëve socialistë që në vënd të shpalosin programin për njerëzit në nevojë e tërë shqiptarët, shpërndajnë ushqime që s’dalin as për një ditë. Kjo është fytyra e humbjes, fytyra e Rilindjes. Shqipëria me Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën kryeministër.” – shkruan Rushaj në Facebook.