Partia Demokratike i ka bërë thirrje sot Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të mos e rregjistrojë Tom Doshin në zgjedhjet e 25 Prillit.
Në një njoftim për mediet, PD e konsideron Doshin subjekt të ligjit të dekriminalizimit dhe për këtë arsye nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje.
“Tom Doshi është subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe ai nuk mund të marrë pjesë në zgjedhje. Në kuptimin e ligjit të dekriminalizimit, neni 2, Tom Doshi ndalohet të kandidojë, pasi ai është i dëbuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Urdhri i Sekretarit Amerikan të Shtetit ia ndalon atij hyrjen në SHBA, duke përbërë shkak ligjor për ndalimin e kandidimit të Tom Doshit në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.
PD i bën thirrje KQZ të zbatojë ligjin dhe të marrë këtë vendim, në interesin më të mirë të vendit dhe qytetarëve shqiptarë.”– thuhet në njoftimin e PD-së.
Kjo kërkesë e PD-së vjen pak kohë pas ambasadorja amerikane Yuri Kim, ka kërkuar publikisht dhe përmes shkresave që Tom Doshi të mos lejohet të kandidojë, për shkak se është shpallur person “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit.