Moderatori britanik Piers Morgan është larguar nga programi “Good Morning Britanin” që e ka moderuar që prej vitit 2015, për shkak të debateve që ka patur me drejtuesit lidhur me disa komente që ai ka bërë për dukeshën Meghan Markle.
ITV njoftoi vendimin pas një njoftimi të mëparshëm se komentet e Morgan-it po hetohen pasi ai kishte marrë 41 mijë ankesa.
E gjitha nisi pasi në shfaqjen e së hënës, Morgan tha se ai “nuk besonte asnjë fjalë” që dukesha i kishte thënë Oprah Winfrey-t për shëndetin e saj mendor në një intervistë. Një intervistë ku Meghan dhe princi Harry bënë një sërë deklaratash të forta dhe tronditëse, dhe dhanë të vërtetën e tyre për largimin nga detyrat dhe përgjegjësitë nga familja mbretërore britanike.
Një zëdhënës i ITV-së tha: “Pas diskutimeve me ITV, Piers Morgan ka vendosur që tani është koha për të lënë ‘Good Morning Britain’. ITV e ka pranuar këtë vendim dhe nuk ka asgjë tjetër për të shtuar.”
Kanali konfirmoi për BBC-në se largimi i tij nga emisioni i lajmeve të mëngjesit do të hyjë në fuqi menjëherë, por nuk pranoi të thoshte kush do ta zëvendësonte atë të mërkurën.
Në një postim të martën në mbrëmje, Morgan postoi një foto ku shihej së bashku me menaxherin e tij të ndjerë John Ferriter, të cilën e shoqëronte me komentin: “Ai do të më kishte thënë të bëja pikërisht të njëjtën gjë”.