Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i LSI-së: Kryebashkiaku i Skraparit jep urdhër për tubim masiv elektoral, kundër aktit normativ


Drejtuesi politik i LSI-së në qarkun e Beratit, Ardit Çela ka denoncuar se kryebashkiaku i Skraparit ka porositur një tubim masiv për të premten.

Çela thotë se kryebashkiaku Adriatik Mema, ka urdhëruar  mbajtjen e një tubimi masiv nesër tek kinemaja në Çorovodë, duke kërkuar sa më shumë pjesëmarrje.

Sipas Çelës, porosia për këtë tubim u ka shkuar drejtuesve të institucioneve në Skrapar përmes një mesazhi në celular, ku u kërkohet të marrin pjesë sëbashku me stafin.

“Drejtuesit e institucioneve në Skrapar janë zgjuar sot me një porosi të veçantë në telefonin e tyre.

Kryetari i Bashkisë i njofton, porosit dhe urdhëron për tubim elektoral, dhe për një pjesëmarrje sa më masive nesër në 18:30, tek kinemaja në Çorovodë. Me porosi të veçantë i urdhëron të vijnë së bashku me stafet.

Ky është skandal i përsëritur. Është papërgjegjshmëri njerëzore. Është shpërdorim i hapur i detyrës.”– shkruan Çela.

Drejtuesi i LSI-së në këtë qark, kujton se akti normativ në fuqi ndalon qartazi tubimet elektorale, ndërkohë që përfaqësues të Rilindjes bëjnë thirrje për tubim elektoral me pjesëmarrje sa më masive.  Ai i bën thirrje Policisë të kryejë detyrën dhe të ndëshkojë përgjegjësit por dhe të parandalojnë të tilla akte.

“Akti normativ në fuqi ndalon qartazi tubimet elektorale, ndërkohë rilindja bën thirrje për tubim elektoral me pjesëmarrje sa me masive.

Ligji ndalon qartazi përdorimin dhe presionin ndaj administratës, ndërkohë rilindja u kërkon drejtorëve pjesëmarrjen sa më masive së bashku me stafet në takimet elektorale të rilindjes.

Situata shëndetësore në Skrapar, Berat dhe gjithë Shqipërinë është dramatike dhe njerëzit po humbasim jetën përditë. Drejtuesit e Rilindjes në Skrapar thërrasin tubim elektoral, në pikun e pandemisë, duke i dënuar njerëzit me vdekje.

Ç’janë këta? A janë njerëz apo çfarë janë? Mirë frikë nga ligji nuk kanë, po nuk paskan mëshirë as për jetën e njerëzve.

I bëj thirrje Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë të Qarkut Berat, Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, të kryejnë detyrën, e jo vetëm të ndëshkojnë përgjegjësit , por duhet të parandalojnë të tilla organizime të cilat jo vetëm thyejnë ligjin por i çojnë njerëzit drejt ekspozimit ndaj virusit që ka marrë mijëra jetë.”– shkruan zoti Çela.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *