Vendosni fjalën kyçe....

Devijoi duke shpëtuar 26 nxënësit në bord nga përplasja fatale, shoferja e autobusit në Australi po konsiderohet “heroinë”


Një shofere autobusi me 26 nxënës në bord po vlerësohet si heroinë në Australi, pasi devijoi për të shmangur një automjet që po lëvizte jashtë kontrollit.

Incidenti ka ndodhur në Queensland të Australisë. Prindërit dhe policia thonë se përplasja fatale mund të kishte qenë shumë më keq nëse nuk do të ishte për shoferen e autobusit Jullie Laffey, 53 vjeç, e cila shpejt e ktheu autobusin e shkollës duke shpëtuar fëmijët.

Ajo po dërgonte fëmijët për në shtëpi pas shkolle të martën pas orës 15:30, kur një automjet 4WD i doli përpara duke lëvizur në mënyrë të pakontrolluar.

Një 29-vjeçar që ndodhej pasagjer në atë automjet, Josiah Stevens, ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Ndërkohë babai i tij 68 vjeç, Alan Stevens, po lufton për jetën në spital.

Gjashtë nxënës u trajtuan për dëmtime të lehta ndërsa shoferja e autobusit Jullie Laffey u dërgua në spital me dëmtime serioze në këmbë.

Prindërit thonë se zonja Laffey ‘meriton një medalje’ për mendimin e saj të shpejtë për të devijuar dhe për t’u tërhequr në një argjinaturë, duke shpëtuar 26 nxënësit që kishte në bord nga dëmtimi i rëndë.

Ata mbanin rripa sigurie në atë kohë. Nxënësit më të mëdhenj arritën të hapnin daljen emergjente të autobusit pasi zonja Laffey nuk ishte në gjendje të lëvizte për shkak të plagëve të saj.

“Ajo është një shofere mahnitëse e autobusit, gjithmonë ka një buzëqeshje në fytyrën e saj.”– tha një nga prindërit, citon Daily Mail. Zonja Skye Hughes shtoi se dy fëmijët e saj që ndodheshin në bord në atë kohë, ishin më të shqetësuar për shoferen e tyre të autobusit sesa për veten e tyre.

“Oficeri i policisë në vendin e ngjarjes më tha se gjërat mund të kishin qenë shumë më keq nëse ajo nuk do të manovronte autobusin ashtu si bëri.”– tha zonja Hughes.

Policia gjithashtu i vlerësoi veprimet heroike të zonjës Laffey. “Për fat të mirë, autobusi mbeti në këmbë dhe kjo ndodhi edhe përmes ndihmës së shoferes.”– tha rreshteri Peter Cowan. “Ajo bëri një veprim evaziv dhe u përpoq të shmangte goditjen me automjetin, por nuk ishte në gjendje të shmangej. Sigurisht që mund të ketë qenë shumë më keq.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *