Policia ka dhënë detaje për ngjarjen e ndodhur disa minuta më parë në kryeqytet ku një shpërthim ndodhi në parkingun e një qendre tregtare në zonën e Komunës së Parisit.
Dyshohet se si pasojë e lëndës plasëse ka shpërthyer mjeti i në pronësi të prokurorit Arjan Muça.
“Me datë 11.03.2021, rreth orës 19:30, tek Komuna e Parisit, në rrethana ende të paqarta ka shpërthyer dyshohet si pasojë e lëndës plasëse mjeti i parkuar në pronësi të shtetasit A. M., ku ka vetëm dëme materiale.
Grupi hetimor ndodhet ne vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Shërbimet e Policisë po kontrollojnë zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit”-thuhet në njoftimin e policisë.
Vetë Drejtori i Policisë Rebani Jaupaj në një deklaratë për mediat tha se shpërthimi ka ndodhur në pjesën e përparme të makinës dhe aktualisht përdorej nga prokurori.
“Mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. Përdoret nga prokurori dhe aktualisht prej një periudhe dy vjeçare parkohet pranë kësaj qendre. Janë marrë masa nga policia për dokumentimin e kësaj vepre penale. Nuk ka të lënduar dhe dëmtime të mjeteve të tjera. Shpërthimi ka ndodhur në pjesën e para kolpit të makinës. Nuk ka pasur asnjë person afër dhe grupi hetimor po merret me pamjet dhe veprimet hetimore”-tha Jaupaj.
Prokurori Muça ka qenë oficer te Krimet e Rënda, është emëruar prokuror në Gjirokastër, dhe muajt e fundit është komanduar në Tiranë te Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Muça ka edhe bashkëshorten gjyqtare te Gjykata Administrative e Tiranës, Gentiana Muça.
Ende nuk dihet nëse ngjarja e ndodhur ka lidhje me detyrën e prokurorit apo bashkëshortes së tij.