Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka shkuar pak më herët tek zyrat e FRD-së pas përplasjes së sotme atje, të presidentit Ilir Meta me policinë bashkiake.
“Para disa ditësh një mik i huaj, shumë i njohur për publikun shqiptar më shkruante: ‘duket qartë që fitorja po vjen’. Kam vetëm një këshillë miqësore: ‘Humbësi bëhet i rrezikshëm ditët e fundit’. Është ajo që populli shqiptar e njeh si: ‘Ruaju bishës së plagosur’.
Sot po i them bishës së plagosur se nuk ke shans ta trembësh dhe ta frikësosh popullin. Nuk ke shans ta trembësh opozitën. 25 prilli është ditë ndryshimi, këtë e dini jut ë dashur qytetarë, këtë e dimë ne, e di faktori ndërkombëtar, e di fare mirë edhe Edi Rama.
Ngjarja e sotshme është një seri ngjarjesh që tregon një gjë. Ka humbur mendjen, ka dalë nga fiqiri nga paniku i humbjes dhe prej drejtësisë që e pret atë dhe gjithë të tjerët që e kanë shndërruar shtetin shqiptar në një strehë të krimit dhe oligarkisë. Me këtë letër bakalli mendojnë se mund të ushtrojnë presion mbi opozitën. Shqiptarët e dinë sepse e kanë vuajtur dhunën e këtij shteti.”– tha Basha.
Kryedemokrati theksoi se kjo ishte një dhunë ndaj opozitës, duke iu referuar incidentit të paradites së sotme, ku policia bashkiake kërkoi nga anëtarët e FRD-së të lironin zyrat me argumentin se godina ishte e amortizuar. Por që drejtuesit e FRD-së e konsiderojnë si sulm politik në prag të zgjedhjeve.
“Padyshim kjo është dhunë ndaj opzoitës, është dhunë ndaj mendimit të lirë. Por kjo nuk na tremb, sepse dhuna ka qenë alternativa e vetme që ai ka pasur për shqiptarët, ndërsa alternative jonë është alternative e ndryshimit.”– tha Basha.