Nga Edmond Bejtaj
E di që të shumtë do jenë ata të cilët sot dhe në ditët në vazhdim do i lëshohen Metës duke e sharë, akuzuar dhe tallur për atë që bëri sot, ndërkohë që unë nuk kam ndërmend të them asgjë, ngaqë ato që kam pasur për të thënë për të i kam thënë tetë vjet më parë, këtu, me shkrim, kur të tjerët e duartrokisnin ardhjen e tij në aleancë me Partinë Socialiste.
* * * *
03.04.2013
Letër doktor Edmondit, mikut tim socialist, si përgjigje ndaj shqetësimit të tij për reagimet e mia dhe të atyre që mendojnë si unë, mbi ftesën e Ramës ndaj Ilir Metës.
I dashur miku im.
Është normale, që si një njeri i mirë dhe socialist aktiv, të ndjehesh i shqetësuar për ato çka në këto dy ditë po qarkullojnë në mendjet dhe gojët e të majtëve shqiptare, kryesisht të atyre të thjeshtëve, si puna ime.
Ti me të drejtë thua, se do ishte më mirë që ne të jepnim një gjykim, vetëm pasi të kishim kaluar në filtrin e mendjes atë që nxorëm nga zjarri i zemrës.
Nuk është se gabon në këtë pikë, ndërkohë që unë them se ajo çka del nga unë, është e imja, edhe kur del në të nxehte edhe në të ftohtë, edhe esëll edhe i dehur (barku dhe bardhaku), pra nuk ka asgjë të keqe nëse themi atë që na vjen në gojë, sepse gjëma është kur na vjen në gojë një gjë, dhe trembemi ta themi.
Pra, që të kalojmë atje ku duhet.
Unë e di se Edi Rama ndjehet keq!
Dhe kështu do ndjehesha dhe unë.
Sepse unë i kuptoj arsyet e Edi Ramës, ose te paktën, mendoj se i kuptoj.
Mbrëmë Edi Rama duke tentuar të prekë në sedër socialistët, tha se Partia Socialiste është bërë për të udhëhequr, dhe prandaj nuk duhet të ngurrojë ta bëjë këtë.
Po doktor, Edi Rama ka të drejtë kur thotë këtë.
Por ai nuk duhet të harrojë se Partia Socialiste nuk lindi dje, dhe as kur në krye të saj erdhi Edi Rama. Sepse Partia Socialiste, duam apo nuk duam ne, unë, ti, dhe Edi Rama, është Partia qe ka mbi kurriz trashëgiminë e lavdishme por njëkohësisht edhe të palavdishme të Partisë Komuniste Shqiptare.
Ajo është partia e Enver Hoxhës që kur i vajtën ta arrestonin fashistet tek Kafe Flora u tha:- Prisni sa ta lajmëroj Enverin, – dhe pastaj iku nga dera e pasme, por është edhe partia e Qemal Stafës që kur i vajtën fashistët ta arrestonin nuk iku nga dera e pasme por luftoi me patllake derisa i doli xhani.
Është partia e Enverit por është edhe e Sejfullait që u persekutua nga Enveri, dhe nga Dekan i Lomonosov-it përfundoi magazinier i Grumbullimit në Fier.
Është e Ramizit që krijoi gjithë partitë postkomuniste, por është edhe e Tim Ati që vdiq si anëtar i partisë së vetme në jetën e tij, me merakun e vetëm se ne të bijtë e tij nuk po bënim sa duhet për atdheun tonë.
Por Partia Socialiste është edhe e Fatos Nanos dhe Ilir Metës, që pasi e shaluan kalin e qeverisë socialiste, u dolën kundër atyre që dikur votonin për ta!
Dhe mbi të gjitha është partia e njerëzve të thjeshtë, e idealistëve që kanë sakrifikuar një jetë të tërë, që kanë punuar me pagesë dhe pa pagesë për të ndërtuar atdheun e tyre, e atyre që shumëkush i quan idiotë sepse i shkojnë pas pa interes partisë së tyre, por që shohin me dhimbje sesi ajo çka ata ndërtuan në vite, po plaçkitet.
Prandaj Edi Rama kur u drejtohet këtyre njerëzve duhet të ketë kujdes!
Sepse ata njerëz nuk shkojnë pas Ramës për të mbushur xhepin, por me shpresën se Rama do ndërtojë një politikë qeverisëse më të mirë se ajo e tanishmja, e cila do sjellë për ta dhe gjithë shqiptarët, një jetë më të mirë se kjo hale e deritanishme!
Dhe kur i drejton ftesën Ilir Metës, nuk duhet të harrojë, që t’i verë si kusht për bashkëpunim atij, ndjesën!
Një ndjesë të madhe ndaj gjithë atyre shqiptarëve që në 2009 i dhanë LSI-së votat vetëm sepse Ilir Meta u premtoi se do largonte Berishën, vota të cilat ai i trafikoi, duke i çuar pikërisht tek qeverisja e Berishës!
Dhe vetëm pas ndjesës të diskutoje me të termat teknike të bashkëpunimit. Sepse vetëm kështu fitohet në aleancë me Ilir Metën!
E nëse Ilir Meta nuk e pranon këtë ndjesë, në djall të vejë pushteti, Edi Rama, dhe të gjithë në që shpresojmë në fitoren e tij.
Të përqafoj doktor,
Me respekt Edmond Bejtaj!