Këshilli i Lartë Gjyqësor, i ka nisur sot Presidentit Ilir Meta emrat e katër gjyqtarëve të parë nga radhët e sistemit gjyqësor, që propozohen për t’u vendet vakante në Gjykatën e Lartë.
Emrat e propozuar janë: Sandër Simoni, Sokol Binaj, Klodian Kurushi dhe Albana Boksi.
“Këshilli i Lartë Gjyqësor, i propozon Presidentit të Republikës katër gjyqtarët e parë nga radhët e sistemit gjyqësor për t’u emëruar në Gjykatën e Lartë, krahas tre gjyqtarëve të emëruar në Mars 2020 nga radhët e juristëve të spikatur. Ky propozim çon një hap më përpara përmbushjen e një prioriteti kombëtar dhe të integrimit evropian për funksionalizimin e plotë të kësaj gjykate.
Me miratimin e udhërrëfyesit për efikasitetin e Gjykatës së Lartë, Këshilli ka avancuar me prioritet përpjekjet që Gjykata e Lartë të rifitojë kuorumin e nevojshëm për adresimin e çështjeve të prapambetura si dhe për të çuar më tej objektivat thelbësore të reformës në drejtësi përmes konsolidimit të një gjyqësori plotësisht të pavarur, të paanshëm, të përgjegjshëm, efikas dhe profesional. Emërimi i këtyre gjyqtarëve të rinj, të cilët e kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar, është një garanci për përmbushjen me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm te sfidave të reja dhe, mbi të gjitha, nevojës për të rritur besimin e qytetarëve shqiptarë në sistemin gjyqësor.”– thuhet në njoftimin e KLGJ-së.
Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 gjyqtarë, por aktualisht përbëhet nga 3 gjyqtarë.